2014-08-18 12:26:33

Kardinali Tagle: udhëtimi i Papës në Kore, shenjë shprese për Azinë


Kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës, i cili do të presë Papën Françesku në Filipine janarin e ardhshëm, e ndoqi nga afër Atin e Shenjtë në këtë udhëtim të parë në kontinentin aziatik. Ta dëgjojmë si e përshkruan ai vizitën e Atit të Shenjtë në Korenë e Jugut:RealAudioMP3

Ne pamë dashurinë baritore dhe vëmendjen e Atit të Shenjtë jo vetëm për të krishterët dhe për popullin korean, por edhe për të gjithë kontinentin aziatik. Për ne është shenjë shprese mënyra me të cilën ai ndërveproi me të rinjtë, si arriti t’u jepte energji të rinjve, dhe Azia është një kontinent shumë rinor. Thonë se dy të tretat e popullsisë aziatike përbëhen nga të rinjtë, prandaj, për të krishterët këtu në Kore dhe për të gjithë të rinjtë aziatikë, të shohësh Atin e Shenjtë duke u interesuar për ta, duke u folur me mallëngjim dhe si udhëheqës, mendoj se është një dëshmi e mrekullueshme jo vetëm për Korenë, por për mbarë Azinë. Një tjetër gjë për të cilën ai foli vazhdimisht është solidariteti, veçanërisht tani kur hendeku ndërmjet të pasurve dhe të varfërve po shkakton përçarje të ndryshme brenda shoqërisë dhe ndërmjet shteteve, kryesisht në kontinentin aziatik. Prandaj, kur ai flet për këto tema dhe dëshiron t’i bashkojë njerëzit dhe personat me fe të ndryshme, ky, përsëri, është një mesazh shumë i rëndësishëm që po jep Ati i Shenjtë. E menoj se në Kore kjo do të ketë jehonë të madhe, për shkak të ndasisë ndërmjet Veriut e Jugut.

Njëri nga çastet më të rëndësishme të udhëtimit ka qenë lumnimi i martirëve koreanë: çfarë domethënieje ka kjo për Azinë?

Edhe pse Kisha në Azi mbetet një Kishë shumë e vogël për nga numri i të krishterëve, ne jemi të vetëdijshëm se në Azi qindra mijëra të krishterë kanë dhënë jetën për fenë. Prandaj, vështirësitë që hasin të krishterët në Azi nuk janë të reja. Kjo ka qenë historia e Kishës. E Kisha në Azi ka këtë traditë të mrekullueshme, trashëgiminë e Jezusit, i cili jep jetën për të gjithë: këtu toka aziatike është e bekuar nga gjaku i martirëve. E për ne në Azi kjo është një mënyrë e mirë për të kujtuar të shkuarën. Ati i Shenjtë u foli të rinjve për format e ndryshme të idolatrisë. Është e lehtë të lësh mënjanë fenë, në emër të pragmatizmit, dhe të bësh kompromise. Unë vetë, gjatë lumnimit, u mallëngjeva shumë dhe thashë me vete: ne në Azi kemi shumë paraardhës që e kanë paguar çmimin e fesë së krishterë edhe duke dhuruar jetën. Kjo na frymëzon të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.