2014-08-18 10:42:08

Françesku kremton Meshën për paqe e pajtim në Seul


Dita e sotme, e fundmja e shtegtimit Apostolik të Papës në Kore, nisi me një takim të shkurtër të liderëve fetarë koreanë, rreth 12 vetë. Takim personal e bisedë e lirë. Më pas, Mesha për paqen e pajtimin, kremtuar në katedralen e Meyong-dong të Seulit. E pranishme edhe presidentja, Geun-hye Park.RealAudioMP3

Ishte kulmi i vizitës së Françeskut, kjo Meshë, e njëkohësisht edhe epilog i saj. Nga elteri i katedrales koreane, Papa i lypi Zotit hirin e paqes e të pajtimit për mbarë familjen koreane:
“Leximet biblike kujtojnë premtimin e Hyjit për t’i rikthyer unitetin e begatinë një populli të hallakatur nga kobet e përçarjet. Premtimin, që lidhet ngushtë me një urdhërim: urdhërimin për t’u rikthyer tek Zoti e për t’iu bindur me gjithë zemër ligjit të tij (cfr Dal 30,2-3). Dhurata hyjnore e pajtimit, e unitetit dhe e paqes lidhet pazgjidhshmërisht me hirin e pendimit, të kthimit në rrugën e Zotit: është shndërrim i zemrës, që mund ta ndryshojë rrjedhën e jetës sonë e të historisë sonë, si njerëz e si popuj”.
E këtë premtim, shpjegoi Papa, e dëgjojmë edhe në rrethanat e përvojës historike të popullit korean, përvojë përçarjeje e konflikti, që vijon prej gjashtëdhjetë vjetësh e që u kujton të gjithëve se është koha për kthesë:
“Por ftesa e Hyjit për kthesë u drejtohet edhe ndjekësve të Krishtit në Kore. Zoti u bën thirrje ta shqyrtojnë cilësinë e kontributit të tyre në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e njerëzore. U bën thirrje të reflektojnë, si individë e si bashkësi, për mënyrën si e dëshmojnë Ungjillin përmes shërbimit ndaj të varfërve, të shtypurve, të papunëve, të përjashtuarve nga begatia, që gëzojnë të tjerët. U bën thirrje, si të krishterë e si koreanë, t’i kundërvihen vendosmërisht mendësisë së bazuar mbi dyshimin, kundërshtimin e konkurencën. Jezusi na kërkon të besojmë se falja është porta, që çon në pajtim. Duke na porositur t’i falim vëllezërit tanë pa asnjë ngurrim, Ai na kërkon të bëjmë kthesë rrënjësore, por na jep edhe hirin për ta bërë këtë kthesë. Kryqi i Krishtit tregon se Hyji ka pushtet të zhdukë çdo përçarje, të shërojë çdo plagë e të rilidhë fijet e këputura të dashurisë vëllazërore”.
Ky është mesazhi, që u la Papa besimtarëve katolikë koreanë, në përfundim të vizitës së tij në Kore: “Kini besim në pushtetin e Kryqit të Krishtit! Duke besuar në frymën e miqësisë e të bashkëpunimit me të krishterët e tjerë, me ndjekësit e feve të tjera e me të gjithë burrat e gratë vullnetmira, që e kanë për zemër ardhmërinë e shoqërisë koreane, ju do të jeni tharmi i Mbretërisë së Hyjit në këtë tokë”.
Pastaj, ftesa:
“Të lutemi për krijimin e mundësive të reja të dialogut, të takimit e të kapërcimit të ndryshimeve, për ndihmën e vazhdueshme humanitare ndaj atyre, që kanë nevojë e për pranimin gjithnjë më të plotë të së vërtetës, se të gjithë koreanët janë vëllezër e motra, anëtarë të një familjeje të vetme, të një populli të vetëm”.
Para se të kremtonte Meshën, Papa u takua me një grup prej shtatë grash të moshuara, që japonezët i patën katandisur në skllave seksi, gjatë Luftës II Botërore. Françesku u shtrëngoi duart e plakura e u tha fjalë të ngrohta ngushëllimi.
Ndërsa në përfundim të kremtimit, kardinali Andrea Yeum Soo-jung i drejtoi Françeskut falënderimin e fundit në tokën koreane. Papa, në vijim, i përshëndeti një për një ipeshkvijtë koreanë dhe bekoi pllakën përkujtimore të Kurjes së re, në ndërtim e sipër. Doli, pastaj, nga porta e prapme e katedrales, për të arritur, nga absidi, në kriptën e martirëve koreanë; nëntë martirë të vrarë gjatë persekutimit të viteve 1839 e 1866.Menjëherë pas gjunjëzimit pranë vendit, ku pushojnë në paqe dëshmitarët koreanë të Krishtit, u nis me auto, drejt bazës ajrore të Seulit, ku u mbajt ceremonia e lamtumirës, tejet e përzemërt e entuziaste, por pa fjalime. Në orën 13,00 (06.00 me orën evropiane) avioni u nis drejt Romës, për të arritur në orën 17.45.
Shtegtimi i ardhshëm, në Shqipëri!







All the contents on this site are copyrighted ©.