2014-08-17 14:16:03

Shenjtorët e javës 18-24 gusht


Më 18 gusht përkujtohen Shën Lauri e Flori. Binjakë e martirë, qenë mjeshtër të skulpturës. Kur mësuesit e tyre, të krishterë si ata, pësuan martirizimin nën perandorin Adrian (117-138), dy vëllezërit vendosën ta braktisnin Bizancin dhe u vendosën në gadishullin ballkanik, në qytetin e Ulpjanës (sot në Kosovë). I biri i perandoreshës Elpida, Licinius, u kërkoi trë ndërtonin një tempull dhe gjatë punimeve ndodhi një gjë e pazakontë: birit të priftit pagan Anastas i hyri në sy një ashkël guri, por vëllezërit ia shëruan syrin e verbuar, prandaj djaloshi me emrin Aleksandër u bë i krishterë. Kur Lauri i Flori panë se në tempull kishin vendosur shtatoret e perëndive pagane, gjatë natës hynë në tempull dhe i thyen shtatoret. Për shkak të këtij akti u dënuan me varrosje për së gjalli.

Më 19 gusht përkujtohet Shën Sara. Me daljen e Abrahamit nga toka e Karranit, zënë fill ngjarjet që do të çojnë në themelimin e popullit të zgjedhur. Në këtë proces Sara luan një rol themelor. Nëpërmjet Sarës realizohet premtimi i Hyjit për Abrahamin. Ajo lindi Isakun, birin e premtimit, atin e Jakobit, të cilin Hyji do ta quajë Izrael.

Më 20 gusht përkujtohet Shën Shën Bernardi i Clervosë, themeluesi i Urdhrit Cestercens. Bindja ndaj Kishës dhe dashuria që pati për të, e shtynë shpesh herë ta braktiste qetësinë e manastirit, për t’iu kushtuar çështjeve të ndërlikuara politike e fetare të kohës së vet. Mjeshtër i udhëheqjes shpirtërore dhe edukues i një breznie të tërë shenjtorësh, la pas një sërë shkrimesh dhe komentesh biblike, dokumente të rëndësishme të teologjisë murgare, që i qaset misterit si diçka që duhet jetuar më shumë sesa hulumtuar. Shën Bernardi vdiq më 20 gusht 1153.

Më 21 gusht përkujtohet Shën Piu X. Giuseppe Sarto, ipeshkëv i Mantovës më parë, e pastaj i Venecies, u ul në katedrën e Pjetrit me emrin Piu X. Është papa i parë, pas shumë shekujsh, që rridhte nga një familje fshatare. Para se të bëhej papë i kishte kaluar të gjitha etapat e shërbesës baritore, duke filluar nga detyra e kapelanit.
Si Papë, mbrojti integritetin e doktrinës së fesë, i kushtoi vëmendje të veçantë kungimit eukaristik për fëmijët, nisi reformën ligjore në Kishë, u mor me Veprimin Katolik, u kujdes për përgatitjen e priftërinjve, shkroi katekizmin e ri, mbështetiu lëvizjet biblike dhe u interesua për reformën liturgjike.

Më 22 gusht përkujtohet Zoja Mbretëreshë e Qiellit dhe e Tokës. Kremtimin liturgjik e themeloi Papa Piu XII më 1955. Maria është mbretëreshë, sepse është nëna e Krishtit mbret. Ajo është mbretëreshë, sepse shkëlqen në shenjtëri. Të gjithë të krishterët shohin dhe nderojnë tek ajo bujarinë e pamatë të dashurisë hyjnore, që e ka stolisur me mirësi.

Më 23 gusht përkujtohet Shën Roza nga Lima. U lind në Limë (Peru) nga një familje fisnike spanjolle, më 1586, dhe emrin e pagëzimit e pati Izabela. Deshi t’i kushtohej Hyjit si murgeshë klauzure që në moshë të vogël, por mbeti “virgjër në botë” dhe pati si model jete Katerinën e Sienës. Si ajo, veshi petkun e Urdhrit të Tretë Domenikan në moshën 20 vjeçare dhe strehoi në shtëpi fëmijë e pleq të braktisur, të cilëve u shërbeu me përkushtim. Më 1609 u mbyll në një qeli dy metra katrorë, nga e cila dilte vetëm për të marrë pjesë në kremtimet liturgjike. Vdiq në shtëpinë e gruas fisnike Maria Ezategui, më 24 gusht 1617.

Më 24 gusht është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.