Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni
drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime.”
Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia
dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të
shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, do t’i shpie në Malin
tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në Shtëpinë e lutjes sime: flitë e shkrumbimit
e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse Shtëpia ime do të
quhet Shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.”
Nga Psalmi 67 (66)
Ref.
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj
Hyji pastë mëshirë për ne e na
bekoftë, bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne, që në tokë të njihet udha
e tij, në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
Le të galdojnë e le brohorisin
popujt, sepse popujt i gjykon me drejtësi, sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
Të lavdërofshin mbarë popujt, o Hyj, mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin! Na
bekoftë Hyji! Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
Leximi i dytë (Rom
11,13-15.29-32)
E juve, o paganë, po ju them: unë si apostull i paganëve
do të jem i lumtur në shërbesën time nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim
e nëse do të mund të shëlboj ndonjë prej tyre. Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre
është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë
se jo kalim prej vdekjes në jetë? Sepse dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.
Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës
së tyre, fituat mëshirën, ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë
të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. Pra, Hyji i ka ndryrë
të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.
Ungjilli
(Mt 15,21-28)
Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e
të Sidonit. Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi
të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma
mundon tepër vajzën!” Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij
e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” Ai u përgjigj:
“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Por ajo u
afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” Jezusi iu
përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.” “Po,
o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve
të tyre.” Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet
ashtu si dëshiron!” Në atë moment bija e saj u shërua.
Hyji është
i të gjithëve
Në konceptin e Besëlidhjes së Vjetër njerëzimi ndahet
në dy blloqe: nga njëra anë Izraeli, populli i Hyjit, të cilit i përket zgjedhja,
besëlidhja dhe premtimet hyjnore; nga ana tjetër janë kombet e tjera. Dallimi nuk
ishte vetëm racor e politik, por para së gjithash fetar: kombet e tjera ishin, njëkohësisht,
ata që “nuk e njohin Jahvenë” (paganë) dhe që nuk marrin pjesë në jetën e popullit
të tij (të huaj). Dialektika ndërmjet Izraelit dhe kombeve i jep ritmin tërë rrjedhës
së historisë së shëlbimit dhe lëviz si një lavjerrës, që luhatet ndërmjet veçantisë
përjashtuese dhe universalizmit.
Hyji dëshiron t’i shpëtojë të gjithë...
Por
Izraeli, i zgjedhur dhe i veçuar ndër kombe, bën pjesë në projektin universal të
Hyjit, i cili synon ta shpëtojë mbarë njerëzimin. Ky vizion i shpëtimit universal
është shumë i pranishëm në Besëlidhjen e Vjetër, veçanërisht tek Isaia. Pjesa e parë
e librit të Isaisë flet për mbledhjen e të gjitha kombeve në Jeruzalemin shpirtëror,
të lartësuar e të çliruar nga çdo lidhje me një vend të caktuar. Guri i themelit të
tij nuk do të jetë më Sioni, por vetë Mesia. Metëm me anë të fesë njerëzit mund të
bëhen qytetarë të këtij qyteti (Is 4,26); 26,1.6; 28,5-6.16-17). Leximi i parë
i liturgjisë së sotme e zgjeron këtë perspektivë dhe tempulli, qendra dhe zemra e
judaizmit, do të bëhet “shtëpi lutjeje për të gjithë popujt”. Hyji nuk do të mbledhë
vetëm të shpërndarët e Israelit, por edhe shumë njerëz të tjerë me ta.
...
në Jezu Krishtin
Jezusi përuron kohët e fundit (Mk 1,15). Mund të pritej
që ai t’ia hapte menjëherë dyert universalizmit pa kufinj, por fjalët dhe sjelljet
e tij tregojnë të kundërtën: nuk del nga kufinjtë e Palestinës për të predikuar e
për të bërë mrekulli: “Nuk jam dërguar tjetërkund, por tek delet e humbura të shtëpisë
së Izraelit”; “Nuk është mirë të marrësh bukën e bijve e t’ua japësh qenëve”. Apostujt,
të cilët i dërgon në mision, i porosit: Mos shkoni ndër paganë” (Mt 10,5). Përkrah
këtyre qëndrimeve gati përjashtuese të Jezusit kemi edhe një sërë të tërë tekstesh,
që shpreh admirimin e tij për të huajt që besojnë në të: centurioni i Kafarnaumit
(Mt 8,10), samaritanasi i gërbulur (Lk 17) dhe gruaja nga Kanaani, për të cilën flet
ungjilli i sotëm; janë si frytet e para të një aradhe të huajsh, hyrjen e të cilëve
në fe dhe pjesëmarrjen e tyre në premtime e prashikon pas përplasjes me mosbesimin
e popullit të zgjedhur.
Shpëtimi pa privilegje
Kisha
e kohëve të para e ka pasur të vështirë ta interpretonte besnikërisht projektin universalist
të Jezusit dhe disa herë janë vërtetuar brenda saj përpjekjet për ta paraqitur fenë
të lidhur me një vend të caktuar dhe përjashtuese. Disa nga të krishterët e parë mëtonin
t’ua impononin ligjet dhe traditat hebraike të kthyerve në krishtërim. Kisha e atëhershme
u çlirua nga tundimet e lidhjes me jë vend të veçantë, por ky tundim është përsëritur
në historinë e Kishës, veçanërisht në veprimtarinë e saj misionare. Disa herë
hovi universtalist është tulatur e shuar, me pretendimin për të mbivendosur ose për
të shkëmbyer fenë e krishterë me kulturën, traditat, historinë origjinale e të pasur
të popujve e kombeve me qytetërim të lashtë e të madh, duke e ngatërruar katolicitetin
me botëkuptimin romak perëndimor dhe duke menduar se uniteti kërkon njëtrajtësinë
dhe qeverisjen e barabartë të strukturave, organizimin e njëllojtë të liturgjisë,
shestimin njëformësh teologjik. Për të shfaqur katolicitetin e Kishës nuk mjafton
të pohosh se ajo është e hapur ndaj të gjithë popujve. Nuk mjafon as të thuhet se
katolicizmi është i hapur për të gjitha kulturat, duke qenë se nuk është i lidhur
me anjë kulturë në veçanti. Është e nevojshme që ai të shprehë, të shfaqë, me fakte
dhe me gjeste, se të gjithë njerëzit e të gjithë popujt ndjehen në shtëpinë e tyre
brenda Kishës. Universalizmi i Ungjillit është larg mënyrës sonë për t’u dhënë
një formë të caktuar marrëdhënieve me të tjerët. Muret ndarëse të racës, të ngjyrës
së lëkurës, të pasurisë, të kulturës, të fesë, kanë bërë pjesë herë pas here në botën
e krishterë në mënyrë tepër të ndjeshme e skandaloze dhe nuk na e jep të drejtën të
themi se Ungjilli është pranuar gjithmonë me bindje të plotë. Për shembull, edhe sot
e kësaj dite ka raste që mungon toleranca dhe shfaqet shpirti i kundërshtimit, i cili
i dallon herë pas here të krishterët e angazhuar në fronte të ndryshme. Ekziston një
mënyrë e gabuar e konceptimit të pranisë së Kishës në botë, e përkufizimit të misionit
të saj, e politikës dhe e besnikërisë së saj nda Ungjillit.
Nga “Homelitë
mbi ungjillin e Mateut” të Shën Gjon Gojartit, ipeshkëv
“Ju jeni kriopa
e tokës” (Mt 5,13). Ju është besuar shërbesa e Fjalës, thotë Krishti, jo për ju, por
për mbarë botën. Nuk po ju dërgoj në dy, apo dhjetë, apo njëzet qytete, apo tek një
popull i veçantë, si në kohën e profetëve, por po ju dërgoj nëpër tokë e nëpër dete,
në mbarë botën, në këtë botë të korruptuar. Duke thënë: “Ju jeni kripa e tokës”, na
lë të kuptojmë se njeriu është i zvetnuar dhe i korruptuar nga mëkatet. Për këtë arsye
kërkon prej të vetëve ato virtyte që janë më të domosdoshme dhe të dobishme për shpëtimin
e të tjerëve. Njeriu i butë, i përvuajtur, i mëshirshëm dhe i drejtë nuk i mban fshehur
këto virtyte, por i lejon këto gurra të mrekullueshme të burojnë në dobi të të tjerëve.
E kush ka zemër të pastër, kush është dashurues i paqes dhe kush vuan për të vërtetën,
e kushton jetën për të mirën e të gjithëve. Mos besoni – duket se thotë – se jeni
thirrur për ndonjë luftë të vogël apo për të ndërmarrë ndonjë veprim pa vlerë. Jo.
Ju jeni “kripa e tokës”. Çfarë bëjnë me këtë veti? Ndoshta shërojnë çfarë kishte nisur
të kalbej? Sigurisht që jo. Kripa nuk e shpëton atë që është kalbur. Apostujt nuk
kanë bërë këtë gjë. Por më parë Hyji përtërinte zemrat dhe i çlironte nga korruptimi,
pastaj ua besonte apostujve, atëherë ata bëheshin me të vërtetë “kripa e tokës”, duke
i mbajtur e duke i ruajtur njerëzit në jetën e re të marrë nga Zoti. Njerëzit i liron
Krishti nga korruptimi i mëkatit, por përpjekjet e kujdesshme të apostujve i ruajnë
të mos bien përsëri në gjendjen e mjerueshme. Shikoni, pastaj, si na dëfton se
apostujt janë më të mirë se profetët. Nuk thotë se janë mësuesit e Palestinës, por
të mbarë botës. Mos u çuditni, pra, duket se vijon Jezusi, nëse vëmendja ime ndalet
tek ju dhe nëse ju thërras të përballeni me vështirësi kaq të mëdha. Merreni me mend
cilat janë e sa janë qytetet, popujt dhe kombet tek të cilat po ju dërgoj. Prandaj
mos t’ju mjaftojë të jeni të shenjtë për vete, por bëjini të tjerët të ngjashëm me
ju. Pa këtë, nuk do t’ju mjaftojë vetja juaj. Të të tjerëve, që janë në gabim,
do t’u bëhet i mundur kthimi, përmes jush, por nëse do të rrëzoheni ju, do t’i zvarrisni
edhe të tjerët drejt rrënimit. Sa më të rëndësishme të jenë detyrat që ju ngarkojnë,
aq më shumë ju duhet të angazhoheni. Për këtë arsye Jezusi pohon: “Por, nëse kripa
e humb shijen, me çfarë mund të kripet? Nuk shërben për asgjë tjetër, përveçse për
t’u hedhur e për t’u shkelur nga njerëzit” (Mt 5,13). Me qëllim që, duke dëgjuar
fjalinë: “Kur t’ju shajnë, t’ju përndjekin dhe të thonë të gjitha të këqijat kundër
jush” (Mt 5,11), të mos kishin frikë të ecnin përpara, duket se dëshiron t’u thotë:
nëse nuk do të jeni të gatshëm për provat që ju presin, kot ju kam zgjedhur. Kështu
do të vijnë mallkimet, si dëshmi e dobësisë suaj. Nëse, nga frika e keqtrajtimeve,
nuk do të tregoni tërë guximin që ju ka hije, do të pësoni gjëra shumë më të këqija,
do t’ju dalë emri për keq dhe të gjithë do të tallen me ju. Këtë do të thotë shkelja
me këmbë. Menjëherë pastaj jep një analogji më të lartë: “Ju jeni drita e botës”
(Mt 5,14). Përsëri thotë ‘e botës’ jo e një populli të vetëm apo e njëzet qyteteve,
por e mbarë gjithësisë: dritë e kuptueshme, më e shkëlqyeshme se rrezet e diellit.
Flet në fillim për kripën e pastaj për dritën, për të treguar epërsinë e kësaj fjale
kaq tërheqëse dhe plot me doktrinë eprore. “Nuk mund të fshihet qyteti i vendosur
mbi mal, as ndizet drita për ta vënë nën magjë” (Mt 5,14-15). Me këto fjalë i nxit
përsëri të kenë kujdes si sillen dhe u kujton se të gjithë i shikojnë me vëmendje.
*** *** ***
Jezusi është njeriu i takimeve. I takimeve që sjellin ndryshime.
Këtë herë ndryshimi ndodh nëpërmjet shëmbëllimit të qenve dhe të thërrimeve. Në fillim
Jezusi është i tërhequr: Nuk është mirë t’ua heqësh bukën fëmijëve dhe t’ua hedhësh
qenve. Sipas mendësisë së përgjithshme të judenjve, paganët konsideroheshin qenë,
por kjo nënë kananease jep një përgjigje gjeniale: është e vërtetë, Zot, megjithatë
qentë i hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre. Duket sikur kjo grua
thotë: “na e hidh ndonjë thërrimë mrekullie, thërrime shërimesh edhe për ne, të fundmit”.
Diçka e mallëngjen Jezusin, i cili mdryshon qëndrim: është bindja absolute e asaj
gruaje se të gjithë, edhe paganët janë të dashur, se për Hyjin nuk ekzistojnë bij
dhe jo-bij; është përvujtëria e njeriut që kërkon vetëm thërrime, bukë të rënë përtokë.
Grua, e madhe është feja jote! Ajo nuk shkon në Sinagogë, u drejtohet perëndive
të tjerë, Baalit, Astartit, por për Jezusin është grua me fe të madhe. Jo aq dhe jo
vetëm në sajë të dashurisë së saj të pandalshme prej nëne, që nuk dorëzohet para heshtjes
së Jezusit, para qëndrimit të tij, në fillim të akullt (“nuk i tha asnjë fjalë”) e
pastaj të ashpër. Çdo nënë do të vepronte ashtu. Feja e madhe e kësaj gruaje nuk gjendet
tek formulat apo deklaratat, por tek bindja profetike: Hyji është më i vëmendshëm
ndaj jetës dhe dhimbjes së bijve të tij, sesa ndaj fesë që shpallin. Ajo nuk ka
fenë e teologëve, por fenë e nënave që vuajnë për fëmijën, që është mish prej mishit
të tyre: ato e njohin Hyjin brenda tyre, e ndiejnë si regëtin brenda plagëve të tyre,
në një ritëm me zemrën e tyre amtare. Ato besojnë se të drejtën supreme para Hyjit
e jep dhimbja dhe nevoja, jo raca apo feja. Dhe se kjo e drejtë u takon të gjithë
bijve të Hyjit, të cilët janë të gjithë të barabartë, judenj e fenikas, besimtarë
e paganë, nën qiellin e Tirit dhe të Nazaretit. E Jezusi ndryshon, ndryshon perspektiva
e misionit të tij dhe paraqitja e fytyrës së Atit. Një grua pagane e “kthen” Jezusin;
e bën të pranojë si bij qentë e Tirit dhe të Sidonit, e hap ndaj përmasës universale:
Jo, ti nuk ke ardhur vetëm për izraelitët, ti je bariu i dhimbjes së botës.