2014-08-11 11:37:17

Kardinali Filoni: Papa Françesku do të dëshironte të ishte në Irak, ndërmjet irakianëve


Mbrëmë, në orën 18.00, Ati i Shenjtë priti, në Shtëpinë e Shën Martës, kardinalin Fernando Filoni, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, emëruar pak ditë më parë i dërguar personal i Papës në Irak, për t’i dëshmuar afërsinë e tij popullsive e, posaçërisht, të krishterëve, të dërmuar nga konflikti në vijim, njerëz që kanë nevojë të jashtëzakonshme për mbështetje e inkurajim. RealAudioMP3
Kardinali e njoftoi Papën për përgatitjen e misionit e edhe për nisjen e menjëhershme.
Gjatë takimit, Papa ripohoi ndjenjat e tij, përballë ngjarjeve tragjike në vijim, ndjenja që, disa herë, i ka shprehur edhe publikisht këto ditë, e i dha udhëzimet për misionin e rëndësishëm, duke i besuar edhe një shumë të hollash për t’i ndihmuar urgjentisht njerëzit më të dëmtuar, si shenjë e solidaritetit të Papës dhe pjesëmarrjes së tij në përpjekjet e institucioneve e të njerëzve vullnetmirë për t’iu përgjigjur situatës dramatike.

Në një deklaratë, lëshuar Qendrës Televizive të Vatikanit, pas takimit, kardinali Filoni nënvizon se Papa i ka në zemër gjithë të krishterët e pakicat tjera në Irak, që persekutohen e detyrohen të ikin:
“Shqetësimin e Papës e bëra menjëherë timin; e bëra kështu, duke e kuptuar se Ati i Shenjtë do të kishte pasur kënaqësinë të ishte atje, në mes të këtyre njerëzve të varfër. Ma besoi këtë detyrë pikërisht që unë t’ua çoj këtyre të varfërve të sotëm këtë ngrohtësi, këtë dashuri të thellë, këtë vuajtje të Papës, për ta”.
Misioni, saktësoi kardinali Filoni, ish-nunc apostolik në Irak në kohën e Luftës II të Gjirit (2001-2006), do të jetë fillimisht mision inkurajimi, besimi, ndihme shpirtërore, morale e psikologjike:
“Ne dëshirojmë që këta të krishterë, pas gjithë atyre vështirësive që kanë pasur, të mendojnë se ky vend është akoma vendi i tyre. Iraku, tradicionalisht, është vend ku bashkëjetojnë një mori realitetesh, është edhe vend mikpritës, vend ku historikisht, prej qindra e qindra vjetësh, pakicat e shumicat bashkëjetuan në paqe. Prej këndej, do të ishte mëkat i vërtetë, sot, të humbiste kjo pasuri”.
Me misionin tim, Papa dëshiron t’u thotë të krishterëve irakianë se për ta ka ardhmëri! Jam i bindur, pohon kardinali Filoni, se autoritetet do të bëjnë ç’është e mundur për t’u krijuar këtyre të krishterëve kushte të përshtatshme jetese, ardhmëri, siguri:
Por duhet edhe ta ndjejnë se Kisha universale është me ta, se nuk i braktis, se për të janë shumë të çmuar në këtë tokë, se ata duhet të kenë akoma besim në vetvete e në lidhjet, që mund të krijojnë me të tjerët. Papa është i vetëdijshëm për gjithë këtë situatë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.