2014-08-10 11:01:00

Shenjtorët e javës 11-17 gusht


Më 11 gusht përkujtohet Shën Kjara. Kur Shën Françesku i dorëzon të atit petkat, si shenjë e heqjes dorë nga të drejtat e trashëgimisë dhe shprehje e lirisë që buron prej fesë, Kjara ishte vetëm 12 vjeçare. Shtatë vjet më vonë edhe ajo e braktis shtëpinë dhe shkon në Porziuncola, për të ndjekur Françeskun. Shenjtori i pret flokët, shenjë e kushtimit, e vesh me zhgun dhe e çon në manastirin e Shën Palit, afër Assisi-t, ku i ati i Kjarës përpiqet më kot ta kthejë të bijën në shtëpi. Ajo strehohet në kishën e Shën Damjanit, ku themelon Urdhrin femëror të “skamnoreve të ndryra” (që më vonë u quajtën Klarise), ku u emërua abateshë dhe për të cilët Françesku shkroi Rregullën e parë. Kjara shkroi më vonë rregullën përfundimtare dhe mori miratimin e Papës Gregori IX.

Më 12 gusht përkujtohet Shën Zhanë Fransiska de Shantal. Jeta e saj është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Françeskun nga Sales, të cilin e ndoqi nga afër, me të cilin bashkëpunoi ngusht dhe e frymëzoi në veprimtarinë e tij baritore. Zhanë Fransiska u lind në Dizhon (Dijon) të Francës më 1572. Në moshën 20-vjeçare u martua me baronin de Chantal, prej të cilit pati shumë fëmijë. Mbeti e ve dhe ndjeu fort dëshirën për t’u shkëputar nga bota e për t’iu kushtuar Hyjit. Nën udhëheqjen e Françeskut nga Sales themeloi një bashkësi të re, të cilën e quajti Takimi, duke e lidhur me takimin e Marisë me Elizabetën. Instituti, që kujdesej për të sëmurët, u përhap me shpejtësi në Savojë e në Francë.

Më 13 gusht përkujtohet Shën Hipoliti. Më 230, kur perandor i Romës ishte Aleksandër Severius, toleranca fetare e të cilit e lejoi fenë e krishterë të organizohej, u zgjodh papë Ponciani. Në këtë fazë të parë të paqes për Kishën, në Romë u krjua përçarja e parë e dëmshe, në të cilën doli edhe antipapa i parë, vetë Hipoliti, i cili sapo ishte kthyer nga rreziku për t’u martirizuar. Në të vërtetë, Hipoliti, meshtar i ditur, i urtë e i thjeshtë, kishte paditur si heretik papën vetë, Shën Zefirinin, si edhe diakonin Kalikst. Kur ky i fundit u zgjodh Papë, Hipoliti ngriti krye dhe tha se ishte zgjedhur në mënyrë të pavlefshme nga mbështetësit e vet. Skizma vijoi edhe gjatë papnimit të Shën Urbanit I dhe Shën Poncianit. Ndërkohë, në Gjermani u vra Aleksandër Severius. Pas tij u bë perandor Maksimini, i cili qe i ashpër me të krishterët. Pasi mori vesh se Kisha kishte dy krerë, i nisi të dy në kampet e përqëndrimit, në një minierë në Sardenjë. Ponciani hoqi dorë nga papnimi dhe pas tij u zgjodh Anteri, i cili papnoi vetëmë për 40 ditë. Hipoliti vdiq më 235.

Më 14 gusht përkujtohet Shën Maksimilian Kolbe. U lind në Poloni më 1894 dhe hyri në urdhrin françeskan. Kur Evropa po niste Luftën e Dytë Botërore, u angazhua në misionet evropiane dhe aziatike. Më 1941 e mbyllin në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Në këtë kamp jep jetën e vet, në shkëmbim të jetës së një prindi me të cilin ishte njohur në qeli. Vdes duke thënë “Tëfalemimarinë”

Më 15 gusht është festa e ngritjes së Zojës në qiell. Virgjëra e Papërlyer, e ruajtur pa mëkat origjinal, pasi e mbylli jetën mbi tokë, u mor në lavdinë qiellore me trup e me shpirt dhe Zoti e kurorëzoi mbretëreshë të gjithësisë.

Më 16 gusht përkujtohet Shën Rroku. Kemi pak të dhëna për jetën e tij. Pasi ua shpërndau pasuritë e evta të varfërve, u nis për shtegtim nga Franca në Romë, por u ndal në veri të Italisë, në ndihmë të njerëzve të prekur nga murtaja. Këtu bëri disa mrekulli, falë të cilave u bë i njohur në një kohë të shkurtër. Mendohet se vdiq në burg, pasi e arrestuan me dyshimin se mund të ishte spiun.

Më 17 gusht është e diel, festa e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.