2014-08-03 11:39:21

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII (5)


Papa Klementi XI
Emisioni i pestë, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013 ka në qendër të vëmendjes Klementin XI, Papën Albani dhe ndihmesën që i dha dheut të të parëve.

Një rol të dorës së parë për përhapjen e fesë në Lindje e posaçërisht në trojet shqiptare, do ta luante Papa Klementi XI, një herë në gjirin e Propagandës Fide, pastaj në fronin e Shën Pjetrit.
Propaganda Fide, sipas aktit të themelimit, përbëhej nga 13 Kardinaj. Ndërmjet tyre, Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim.
Gjoni lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tija, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e sulmit të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrechtit, të Rastadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.
Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Përendimor, Persi, Indi e Kinë.
Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për rilindjen politike e fetare të atmes së të parëve, përmes kryeipeshkvit reformator të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, të cilit i kërkoi të bënte vizitën kanonike në të gjitha kishat dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brënda tre muajve, në dhjetor të vitit 1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezeve të vendit (imzot Vincenz Zmajeviç, arqipeshkëv i Tivarit, Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipëri; imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv i emëruar i Shkupit; imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës; imzot Nikollë Vladanji, ipeshkëv i Lezhës; imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emëruar i Shkodrës; imzot Marin Gjini, ipeshkëv i zgjedhur i Pultit), provincialin e françeskanëve, Fra Martinin nga Gjonima (Gjonmi), Prefektin Apostolik të Misioneve t'Arbënisë, Fra Egjidin de Arsenta dhe Prefektin Apostolik të Misioneve të Maqedonisë, Fra Frano Maria a Lycio, të cilët e nënshkruan “Konçilin e Parë të Shqipnisë”.
Vendimet e Konçilit, shkruar në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviç, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe, mbas miratimit, më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin “Concilli i ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1704 (Konçili i Dheut ‘Shqipnís”, botue në Romë, shtypë prej Kuvendit të Propagandës, 1704). Imzot Zmajeviç i përcillte dokumentet me një letër, idetë e së cilës i paraprijnë Rilindjes Kombëtare. Me rëndësi, ky takim i madh, që përcaktoi normat e sjelljes së klerit në çështjet dogmatike, morale, kanonike e baritore. Ndërkaq, u vërejt një farë afrimi me Kishën ortodokse e nisi të flitet për një farë bashkimi. Kjo përpjekje, që nuk u realizua, ndikoi për krijimin e selive kryeipeshkvnore për latinët, në Ohër e në Shkup. Rreth vitit 1577 në Himarë qe vendosur një mision katolik lindor. Nën drejtimin e misionarëve bazilianë, ortodoksët e Himarës, të ndihmuar politikisht prej Papës, i prenë lidhjet me peshkopatën e Janinës, pa hequr dorë nga riti e liturgjia bizantine. Por shumë shpejt Patriarkana e Stambollës ndërhyu energjikisht dhe, rreth vitit 1628, e rivendosi ndikimin e vet në Shqipërinë e jugut.
Në shekullin XVIII vijoi puna për rifillimin e plotë të veprimtarisë së Kishës. Pritej që kjo punë të ecte me ritme të shpejta, falë autonomisë së fiseve malësore, të mbrojtura me armë për faqe, dhe lulëzimit të bashkësive të pasura tregtare kristiane. Por ritmet u ngadalësuan për shkaqe të vjetra e të reja. Shkaku i parë ishte mungesa e klerit, në sa lidhjet civile me mjediset myslimane ndikonin në përhapjen e indiferencës fetare. Shkak tjetër i rëndësishëm, joshja për të ndjekur karrierën ushtarake, që Turqia nuk ngurronte t’ua siguronte shqiptarëve, mjafton që të ktheheshin në fenë islame.Emri i Papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit e botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. Bëri, kështu, hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli, që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.