2014-08-01 14:42:19

Gazë, kardinali Maradiaga: masakrohen të pafajshmit, të ulen përgjithnjë armët


“Armëpushim i përhershëm”, që të jetë hapi i parë në udhën e paqes së drejtë”. Këtë kërkon kardinali Oscar Andrès Rodriguez Maradiaga, President i Caritas Internationalis, në një dokument, ngarkuar me shqetësimet e situatës në Gazë.

Reflektimi i kardinalit Maradiaga niset nga lufta shkatrrimtare, që bën hi e pluhur njerëz, vlera e shpresa për një të ardhme në paqe. Karitasi kërkon të ulen armët e të pushojë zjarri. E jo për një afat të caktuar, por përgjithnjë. Vetëm kështu mund t’i hapet rruga paqes së drejtë, të bazuar mbi bisedime, në të cilat duhet të marrin pjesë të gjitha palët, që banojnë në këtë zonë, të shkretuar, gjithnjë në luftë, gjithnjë në kërkim të ethshëm të paqes. Udha drejt pajtimit është e gjatë, por nis nga secili prej nesh, kujton Hirësia e Tij, duke u drejtuar palëve në konflikt pyetjen: “Pse vijoni të shikoni lëmishtën në sy të vëllait e jo traun në sy tuaj? Duhet t’i ulni armët e të merrni një dylbi, për të parë se shumica e viktimave janë njerëz të pafajshëm”.
Duke kujtuar luftërat e tjera, që kanë shpërthyer njëra pas tjetrës në Gazë, impenjimin e Karitasit dhe kushtet e jetesës së palestinezëve, kardinali Maradiaga kërkon të marrë fund bllokimi i Rripit, që t’u krijohen banorëve kushtet e nevojshme për të jetuar një jetë të denjë. Prelati i lartë kujton, më pas, takimin e Papës Françesku me presidentët Peres e Abbas e, sidomos, fjalët e Benediktit XV, gjatë Luftës I Botërore. U pati kujtuar Papa, asokohe, mbarë popujve, një të vërtetë me vlerë të përhershme: “Forca mund të mbysë trupat, por jo shpirtrat e njerëzve”. Kardinali lutet që shpirtrat e izraelitëve e të palestinezëve të mbeten të lirë, për të besuar në ardhmërinë e drejtë e paqësore, që duhet të agojë një ditë!








All the contents on this site are copyrighted ©.