2014-07-31 13:10:29

Fjala e SH.T. Imzot Rrok Mirdita në Konferencën për shpalljen e Programit të Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Tiranë


Dy momente të rëndësishme të Udhëtimit Apostolik të Papës Françesku në Shqipëri me datë 21 shtator 2014, do të jenë ai i Kremtimit të Meshës në Sheshin Nënë Tereza dhe takimi që ai do të ketë në Katedralen Metropolitane të Shën Palit me priftërinjtë, motrat, seminaristët dhe lëvizjet laikale. Për mua si Arqipeshkëv i Tiranës, përbëjnë dy momente hiri dhe dhurate të veçantë prej Zotit.

Mesha e Shenjtë që Papa do të drejtojë, në bashkremtim me hierarkët e lartë që do të vijnë bashkë me të, me ato të Shqipërisë, me miq të ndryshëm të ardhur për këtë rast dhe me të gjithë popullin e Hyjit, përbën momentin kulmor të kësaj vizite. Për ne të krishterët katolikë Eukaristia është burimi dhe kulmi i krejt jetës së krishterë e i krejt jetës së Kishës. Prandaj për këtë moment janë të angazhuara të gjitha dioqezat dhe famullitë që të marrin pjesë jo vetëm fizikisht, por edhe me një përgatitje shperitërore, që do të bëhet gjatë gjithë kësaj kohe pritjeje.

Janë angazhuar vullnetarë të shumtë që të bëjnë organizmin e shtegtarëve, por edhe të parametrave teknikë dhe të sigurisë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Gjithashtu vlen për t’u theksuar edhe bashkëpunimi i mirë që kemi me autoritetet e pushtetit qëndror dhe vendor për një përgatitje sa më dinjtoze, për këtë ngjarje që do të jetë në sheshin Nënë Tereza.

Po ashtu Papa Françesku do të takojë edhe meshtarët, motrat, laikët dhe seminaristët në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Sikurs e dini kjo Katedrale është e re, por është edhe shenja e ripërtëritjes së Kishës katolike në Shqipëri. Kujtojmë se kur ishte Gjon Pali II ajo nuk ekzistonte, por tani një Papë tjetër korr frytet e asaj vizite historike e ka mundësi t’u drejtohet të gjithë vepruesve kishtarë pikërisht nga Kisha amë e të gjitha kishave të Arkidioqezit të Tiranës.

Meshtarët dhe motrat janë ata që me përkushtim të veçantë punojnë me besimtarët, por edhe me ata që nuk janë besimtarë apo kanë një besim tjetër, sidomos në qëndrat e ndryshme baritore, shëndetësore, shkollat, oratoret, qëndrat komunitare për edukim dhe zhvillim të personave, të shpërndarë në mënyrë kapilare në të gjithë Shqipërinë.

Kjo vizitë është një dhuratë për Katedralen tonë dhe për bashkësinë tonë dioqezane e kishtare shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.