2014-07-30 17:56:13

Lindje e Mesme: vijojnë bombardimet mbi Gazën, goditet shkolla e OKB-së


Gjithnjë më dramatike, situata në Gazë, ku sot 20 palestinezë, të strehuar në një shkollë të OKB-së, në veri të Rripit, mbetën të vrarë nën bombat izraelite.
Ndërkaq, në frontin diplomatik, Hamasi e përgënjeshtroi lajmin lidhur me pranimin e propozimit të Kajros për armëpushim. Sipas organizatës palestineze, zjarri mund të marrë fund vetëm kur të marrë fund edhe rrethimi, njëherësh me operacionet ushtarake izraelite.

Ishte, pra, një natë tjetër zjarri, e mbrëmshmja. Artileria izraelite gjuajti, veç të tjerave, edhe pesë xhami – në qytetin e Gazës, në Rafah e Shati - si dhe një shkollë të UNRWA, agjenci e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, ku ishin strehuar qindra familje, duke lënë pas njëzet të vdekur. Izraelitët i vunë këto pika në shënjestër, për arsye se shumë xhami, e deri tani, edhe tri shkolla të OKB-së, u përdorën si depo për armë e bateri raketash aq, sa një komunikatë e OKB-së denoncon shkeljen flagrante të asnjanësisë së saj dhe i dënon përsëri ashpër milicët, që i kthyen xhami e shkolla në arsenale. Kështu Gaza vijon të jetojë ndërmjet shpërthimeve. Centrali i madh elektrik i Rripit është shndërruar në një shtyllë zjarri e tymi. Me ndërprerjen e energjisë elektrike, të parët që po pësojnë dëme të rënda, janë spitalet, mbushur sa më nuk zënë: rreth 5700 të shtruar në të gjithë Rripin. Britma alarmi dalin sidomos nga reparti i mjekimit intensiv, i dializës e i kirurgjisë.
Si zakonisht, një mori banesash e paguan me fund haraçin e këtij konflikti pa fund: në Khan Younis mbrëmë vdiqën 60 palestinezë, ndërmjet të cilëve, pesë anëtarë të të njëjtit fis, i cili vetëm në dy ditë, varrosi 17 vetë.
Në Izrael, nata kaloi e qetë, por gjithnjë e ngarkuar me ankthin e së papriturës; dje raketat palestineze, rreth njëqind, u sulën kryesisht drejt qendrës e jugut të vendit e, posaçërisht, drejt Jeruzalemit e shpërthimi i një rakete plagosi pesë ushtarë, ndërsa numri i të vrarëve arrin në 53.
Duken të kota përpjekjet diplomatike, që vijojnë paprerë, për të siguruar armëpushimin humanitar: liderët e Hamasit përgënjeshtruan zërat, që folën dje për mundësinë e pranimit të uljes së armëve, propozuar nga Egjipti e një prej tyre, Mohammed Deif, pohoi se kushtet themelore janë fundi i agresionit izraelit dhe hapja e vendkalimeve të kufirit. E ndërsa ajatollahu Khamenei, nga Irani, i bën thirrje mbarë botës, posaçërisht, asaj islamike, t’i dënojë ‘krimet’ e Izraelit e t’i armatosë më tej palestinezët e Gazës, SHBA-të dhe Izraeli, me komunikata zyrtare, përgënjeshtrojnë zërat, që folën për një bisedë të ashpër telefonike ndërmjet presidentit Obama dhe kryeministrit Netanijahu.
Për një dëshmi, drejtpërdrejt nga Rripi, në telefonin tonë, famullitari i “Familjes së Shenjtë” në Zeitun, atë Jorge Hernandez:

Përgjigje: - Për fat të keq, lëvizja e rezistencës është gjithnjë rreth shtëpive e nëpër rrugë. Ishte problemi ynë i madh dje: nuk mund të dilnim më nga shtëpitë. Pastaj ia behën bombat. Një shtëpi, këtu, pranë kishës, u godit e ne patëm pasoja të rënda në qelë e në shkollë.

Pyetje: - E dimë se shumë njerëz u vunë në ikje: janë 20 mijë, të shpërngulurit e rinj, që u shtohen të ikurve të parë. Por, për shumë, ashtu si për ju, është e pamundur të ikin. Cila është gjendja juaj shpirtërore?

Përgjigje: - Nuk mund të lëvizim: si mund të marrësh me vete, nën bomba, tridhjetë fëmijë të gjymtë e nëntë pleq? Nuk mundesh, në asnjë mënyrë. Edhe pse nuk janë jetimë, ne mbetemi përgjegjës për jetën e tyre. Pa leje, nuk mund të bëjmë asgjë. Pastaj, të dalësh në rrugë, do të thotë të rrezikosh jetën... Pra jemi e do të mbetemi këtu, duke u përpjekur të mbahemi në këmbë.

Pyetje: - A e keni dëgjuar, të diel, thirrjen e Papës, pikërisht në emër të fëmijëve, që pësojnë më shumë në këtë atmosferë vuajtjeje e vdekjeje? Arriti edhe tek ju ky kumt? Ç’ndjeni, kur dëgjoni se Papa, nga larg, mendje e zemër i ka mes jush e kërkon që e gjithë kjo vuajtje të marrë fund sa më parë?

Përgjigje: - Është ngushëllim për ne, afërsia e Papës. Duhet të ngrihet një zë i fuqishëm, që thotë: “Mjaft!” e që i jep fund kësaj masakre. Ne patëm edhe një hir tjetër nga Papa Françesku që, pak ditë më parë, na dërgoi një mail, përmes të cilit i shprehte afërsinë famullisë, duke pohuar edhe se lutet për gjithë të krishterët. Ua dhamë lajmin e mail-it të gjithë besimtarëve të famullisë e edhe të krishterëve të tjerë, që u ngushëlluan shumë, mes vuajtjes. Për fat të keq, zëri i Papës nuk dëgjohet gjithnjë. Po për ne ishte gjë e madhe. Pardje jetuam një tragjedi: banesa e një familjeje të krishterë u bombardua, nëna vdiq, babai u plagos e djali i madh, që ndodhej në shtëpi, vijon të luftojë me vdekjen në spital. Spitalet, këtu në Gazë, nuk kanë më as mjetet më të domosdoshme; u mungon hapësira, u mungojnë ilaçet, u mungojnë pajisjet e nevojshme. Kjo është situata jonë…

Pyetje: - Atë, kur shpallet një çast armëpushimi, a merrni frymë më lirisht, apo vijon të mbretërojë frika e kaosi?

Përgjigje: - Lidhur me thirrjet për armëpushim, them se mundëm të përfitojmë vetëm nga njëra, e jo në orarin e shpallur, sepse faktikisht zjarri nuk pushoi, kur duhej. Me këtë dua të them se një gjë është ajo, që thuhet në nivel informativ, e tjetër gjë, ajo që jetohet. Tani kemi vetëm një orë e gjysëm dritë elektrike, pas ditëve të tëra, kur nuk e kemi pasur fare. Nuk ka ujë: e ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit, me rezervat, që kemi. Shumë njerëz, pastaj, vijnë e kërkojnë strehë këtu, në kishë, e ne nuk mund t’i pranojmë, sepse nuk është e sigurt.









All the contents on this site are copyrighted ©.