Traettino: të prekur nga humaniteti i Papës. Ëndërra e Zotit është bashkimi
Të ndryshëm, por të bashkuar. Këtë thanë e theksuan disa herë dje paradite Papa Françesku,
miku i tij pastor Giovanni Traettino dhe bashkësia pentekostale, që u takua me Atin
e Shenjtë në Kazertë, në një atmosferë vëllazërore dhe ekumenike. Në mikrofonin tonë,
pastori Traettino shpreh përshtypjet e ndjenjat, pas këtij takimi:
Jemi
thellësisht të prekur nga thjeshtësia e Papës Françesku, të cilën e njihnim që më
parë, por edhe nga humaniteti i tij. Janë gjërat që na bëjnë më shumë përshtypje.
Përveç kësaj, fakti që jetuam, në mënyrë eksperimentale, vëllazërinë mes nesh. Edhe
kjo na bën përshtypje. Ashtu si Papa Françesku, edhe ju kërkoni një jetë,
që t’i ketë rrënjët e thella në Ungjill. Cili nga qëndrimet e Papës ju ndihmon për
këtë? Besoj se është përvoja e Krishtit. Besoj se janë marrëdhëniet personale
me Krishtin. Për mua, është e qartë se ai ështe njeri, që e ka takuar Jezusin, prandaj,
kur takohet me njerëzit, që kanë këtë lloj marrëdhënie me Zotin e që duan ta jetojnë
Ungjillin, menjëherë krijohet ajo që ai vetë e quan empati. Para pak ditësh,
ju vetë deklaruat se nuk ka Rrëshajë që të mos lindë jetë e bashkim e se askush nuk
mund ta quajë veten pentekostal, pa e dëgjuar këtë thirrje… Po. Unë jam thellësisht
i bindur për këtë. Çdo Rrëshajë – ato të Besëlidhjes së Vjetër e ato të Besëlidhjes
së Re – shto dikimin e jetës prodhojnë bashkim. Kisha ka lindur gjatë Rrëshajëve.
Prandaj, është e qartë se nga shumë gjuhë doli një gjuhë e vetme, nga shumë popuj,
një popull… Rrëshajët na çojnë drejt kufirit: duhet të ecim gjithnjë e më përpara
drejt realizimit të ëndërrës së Zotit. E ëndërra e Zotit është bashkimi, sepse vetë
Zoti është bashkim. Megjithëse vizita e Papës Françesku ishte ngushtësisht
private, vizitë tek një mik, shumë e shohin si takim ekumenik… Po, në përmasën
e dialogut vëllazëror, në këtë kuptim… Pra, përmasa teologjike, doktrinore mungon,
por është shumë e fuqishme dhe e pranishme ajo përmasa e parë për të cilën u flet
shën Pali efesianëve në kapitullin e katërt: bashkimi i Shpirtit, që duhet ruajtur.
Pasi kur provon praninën e Shpirtit Shenjt, bashkimi “me” Shpirtin sjell bashkimin
“e” Shpirtit, bashkimi me Shpirtin Shenjt sjell bashkimin e Shpirtit Shenjt. Prandaj,
në këtë kuptim, unë besoj se kur provojmë praninë e Zotit dhe e mbajmë Hyjin në zemër
– “Trupi juaj është tempull i Shpirtit Shenjt” – e shohim se dikush tjetër përjeton
të njëjtën përvojë, krijojmë me të këtë mirëkuptim, këtë marrëdhënie të menjëhershme.