2014-07-29 10:29:16

Shqiptar trim si ky, nuk vdes kurrë!


Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MESHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij... Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të Rinisë Shqiptare dhe kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë Gjenocidit komunist.
Shqipja me kthetrat e Saja, atë ditë... ka skalitë në një shkamb:
“Edhe një Hero ma pak!”...


●Plot 60 vjetë perpara At Pjeter Meshkalla, në vitin 1954, kur ishte në Burgun e Burrelit i dënuem që në vitin 1947 ka shkrue këte poezi, e cila asht nxjerrë si shumë të tjera nga djelmët e rij që ma vonë... dolën të plakun nga burgu...
●Autori i Pavdekshem i saj, si gjithmonë, me optimizmin e Tij, kje frymzues i idealeve të nalta tek Rinia Shqiptare!

JETË E RÉ

Në kthesën e një djali të ri:
“Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”
Sh’ Augustini
Në zemrën teme lindi jeta,
shpirti asht mbushun me dëshirë,
me ndriti mendjën e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hirë.

Lindi Krishti në zemrën téme,
më pruni paqë e dashuni,
më rreshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.

Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e léqe;
krime n’ têrr unë farkëtojshe:
holla vrapin për rrugë të kéqe...

Epshi e faji janë veriga
që tue lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi në punë të liga,
që veç rrathët ma fort shterngojnë.

Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pré!
U thyen prangat, ktheu liria ,
shtegu u hap për J E T Ë TË R É !

BB(Burgu Burrel) 1954.

●Shenim nga FR: Poezia asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 26 Korrik 2014.
Fritz Radovani








All the contents on this site are copyrighted ©.