2014-07-29 10:23:59

Papa për gazetën “Clarin”: duke keqtrajtuar natyrën, njeriu rrezikon vetvrasjen


500 ditë pas fillimit të papnimit të Françeskut, e përditshmja argjentinase “El Clarin” boton në shtojcën javore “Viva” copëzat e para të një interviste me Papën Françesku. Temat e shumta, të prekura gjatë intervistës, shkojnë nga kujtimet e fëmijërisë tek argumentet e kronikës së thatë, si emigrimi, me disa përsiatje të Papës mbi kuptimin e jetës.

Shumë vetë pandehin se e njohin pak a shumë me themel sekretin e lumturisë – ku ky term, i shumëdëshiruar por edhe i papërkufizuar, mund të lakohet sipas ndjeshmërive të njerëzve që flasin me emra të tjerë, më konkretë, si shëndeti, dashuria, paratë, pushteti e kështu me radhë. I pyetur në lidhje me këtë, Papa Françesku është befasues, si gjithmonë, dhe i shpjegon intervistuesit të gazetës “Clarin” mënyrën si e kupton ai këtë çështje, duke huazuar një shprehje nga qyteti në të cilin prej 500 ditësh është ipeshkvi i ri dhe i dashur:

Këtu romakët kanë një thënie, që mund ta marrim si pikënisje: “jeto e lëri njerëzit të jetojnë”, domethënë ec përpara e lëri të gjithë të ecin përpara, jeto e lejo të jetojnë. Është hapi i parë për paqen e lumturinë.

Intervista na paraqet edhe njëherë njeriun që u bë Papë dhe i shton të tjerë gurë mozaikut të një personaliteti tashmë të njohur, ku mbizotëron zemra, derë e hapur katër kanatesh për njerëzit, për brengat dhe shpresat e tyre. Me kujtimet e fëmijërisë shpreh dashurinë për rrobalarësen, që ndihmoi nënën e tij në punët e shtëpisë dhe të cilën, pasi e takoi i rritur e meshtar, Jorge Mario e shoqëroi deri në vdekje dhe mori prej saj një medaljë, që thotë se e puth çdo mbrëmje, para se të flejë, dhe çdo mëngjes, sapo të zgjohet. Ajo vdiq e lumtur, buzagaz dhe me dinjitetin e njeriut që e kishte dashur punën, siç pohon për të Françesku, me admirimin foshnjor që i frymëzojnë të përvuajturit.
Bota e vogël e shtëpisë Bergoglio hapet dhe vështron, pastaj, botën e madhe të bashkësisë ndërkombëtare, e cila, megjithatë, është e pak bujare përballë nevojave të atyre që kërkojnë mikpritje, pasi janë arratisur nga situatat e tmerrshme. Evropa ka frikë, vëren Papa, duke folur për emigrimin. Ai lavdëron Suedinë, e cila, edhe pse ka më pak se 10 milionë banorë, ka pritur gjatë viteveve të fundit më se 800 mijë emigrantë.
Pastaj e hedh vështrimin mbi mbarë botën, që, nga veriu në jug, herë për shkak të indiferencës, herë për interesa të caktuara, vijon t’i shpërdorojë dhuratat e Hyjit:

Kur, për shembull, vendoset të hapet një minierë, sepse kështu fitohet më shumë se në ndonjë mënyrë tjetër – por kështu ndotet uji – nuk i kushtohet rëndësi. E kështu ecet përpara e ndotet natyra. Mendoj se nuk shtrohet kjo pyetje: a nuk po vetëvritet njerëzimi, duke e shpërdoruar natyrën pa kriter e me tirani?

Pyetja mbetet varur mbi vetëdijen kolektive dhe Françesku nuk ka asnjë dyshim, kur gazetari e pyet nëse e sheh veten si fitimtar të çmimit Nobel. Papa përgjigjet se nuk e ka menduar kurrë një gjë të tillë, sepse thotë se kërkimi i çmimeve dhe doktoraturave është shumë larg formës së tij të të menduarit. Parapëlqen më shumë të ushqehet me urtinë e popullit të vet, siç e ka përmbledhur e treguar mrekullisht Ricardo Guiraldes, në librin “Don Segundo Sombra”:

Tek Don Segundo Sombra ka diçka shumë të bukur: një njeri, protagonisti, i cili merr në shqyrtim jetën e vet. Thotë se në rini kishte qenë shkëmb vigan dhe i kishte bërë ballë gjithçkaje; në moshë të pjekur, lumë që vërshonte, ndërsa në pleqëri e ndjente se ishte në lëvizje, por rridhte me i qetë. Unë do të përdorja këtë shëmbëllim të poetit romancier Ricardo Guiraldes, mbiemrin e fundit: i qetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.