2014-07-29 16:29:51

Ju kumtojmë Lajmin e mirë – Jezusi qetëson stuhinë (Mk 4,35-41)


Kapitulli i katërt i Ungjillit sipas Markut na paraqet një sërë shëmbëlltyrash dhe mbyllet me lundrimin e nxënësve me Jezusin në liqenin e trazuar. Është Jezusi ai që u thotë të vetëve: “Të kalojmë në bregun tjetër” (v. 35). Marku vë në dukje vazhdimisht dëshirën e Jezusit për të shkuar tjetërkund, me synimin për t’ua shpallur sa më shumë njerëzve lajmin e mbretërisë.
Gjatë këtij lundrimi, Jezusi ishte në prua dhe “flinte” (V. 38). Barka ka shërbyer gjatë shekujve si shëmbëllim i Kishës, e cila është bashkësia e nxënësve në udhëtim e në lundrim me Mësuesin. Përgjatë historisë dallgët janë përplasur kundër saj dhe e kanë “mbushur me ujë” (v. 37).
Është e vërtetë, Kisha e di se Zoti dhe kreu i saj është gjithmonë i pranishëm në këtë rrugëtim, por pavarësisht nga kjo vetëdije, nxënësit shpesh herë mendojnë se mund ta drejtojnë vetë barkën, mes stuhisë së botës, pa e trazuar Zotin që “fle në prua”.
Në barkën e Krishtit mund të na mbajë vetëm feja. Vetëm ajo mund t’i çlirojë nxënësit nga frika e stuhisë. Sa herë që nxënësit i zë frika duhet të kuptojnë se u mungon feja, prandaj Jezusi i pyet: “Pse jeni kaq frikacakë? A nuk keni ende fe?” (V. 40). Nëse Kisha udhëton në botë duke u mbështetur tek aftësitë njerëzore të udhëheqësve dhe anëtarëve të saj, duke përdorur metodat dhe gjuhën e botës, rrezikon të mbushet me frymën e botës dhe të mbytet në detin e saj.
Ndodh, nganjëherë, në jetën e Kishës, që nxënësit kujtohen për Zotin vetëm kur barka është duke u mbytur, vetëm kur logjika e botës ia zë krejtësisht frymën logjikës së Ungjillit dhe nxënësit i kap tmerri. Në panikun e dështimit njerëzor, nxënësit e zgjojnë mësuesin dhe e pyesin: “A nuk të intereson se po marrim fund?”.
Para së gjithash, Jezusi i drejtohet stuhisë: “Hesht! Qetësohu!”. Vetëm ai është Zoti i historisë. Kisha mund të udhëtojë e qetë në histori vetëm duke e mbajtur zgjuar Jezusin brenda saj, vetëm nëse lejon që ai t’i urdhërojë pushtetet e botës, sepse vetëm ai mund ta kthejë bunacën. Por menjëherë pasi qetëson stuhinë, Jezusi qorton nxënësit: “Pse jeni kaq frikacakë? Nuk keni ende fe?”. Mund të hyhet në barkën e Krishtit edhe pa pasur fe, por pa dhuratën e fesë nuk mund të kapërcehet frika përballë dhunës së stuhisë. Kisha duhet ose ta mbajë zgjuar Krishtin, në mënyrë që ai ta edukojë në fe, ose të jetë e themeluar në fe, që të veprojë në botë në emrin e tij, pa frikë nga stuhitë e historisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.