2014-07-28 17:21:02

Papa pentekostalëve: Shpirti i Shenjtë krijon larmi, por edhe unitet


Shpirti i Shenjtë krijon larmi, por edhe unitet në Kishë: këtë theksoi Papa Françesku gjatë takimit, mbajtur sot paradite në Kishën pentekostale të Pajtimit, në Kazertë, ku shkoi të takohej me pastorin Giovanni Traettino.
Sot paradite, pra, Papa ishte përsëri në Kazertë, pas vizitës baritore të së shtunës, për të takuar pastorin e Kishës ungjillore pentekostale, Giovanni Traettino, mik i tij që në kohët e Buenos Aires, edhe ai, i impenjuar në rrugën e ekumenizmit.

Takimi u mbajt në Kishën pentekostale të Pajtimit, në ndërtim e sipër, me pjesëmarrjen e 200 vetëve, shumica ungjillorë, ardhur jo vetëm nga Italia, por edhe nga SHBA-të, Argjentina e vende të tjera.
I bukur e shumë familjar, takimi i Françeskut me mikun pastor, në mes të bashkësisë së tij. Plot emocion, përshëndetja e Traettinos drejtuar Papës, pritur me duartrokitje të stuhishme nga të pranishmit:
I dashur Papa Françesku, vëllai im i shtrenjtë. I madh është gëzimi ynë për vizitën tuaj: dhuratë e madhe dhe e papritur, krejt e pamendueshme pak kohë më parë. Mund ta lexosh në sytë e fëmijëve e të pleqve, të të rinjve e të familjeve. Ju duam fort! E duhet të dini një gjë: edhe ne, ungjillorët, e duam fort personin tuaj e shumë nga ne luten për ju çdo ditë. Sepse nuk është aspak vështirë t’ju duash. Shumë nga ne besojnë plotësisht se zgjedhja juaj si Ipeshkëv i Romës, ishte vepër e Shpirtit të Shenjtë”.
Pastori Traettino, i pranishëm, më 1 qershorin e kaluar, në takimin e Papës Françesku në Stadiumin Olimpik të Romës, me Lëvizjen Përtëritja në Shpirtin Shenjt, si kujtoi se Françesku u lodh duke ardhur për herë të dytë në Kazertë, pohoi; “Me burra si ju, për ne të krishterët ka shpresa të mëdha”. Foli, më pas, për unitetin e Kishës, themeluar mbi Jezu Krishtin. Theksoi se qendra e jetës sonë është prania e Jezusit, sepse feja është pikërisht takim personal me Zotin.
Papa, nga ana e tij, foli për larminë, që nuk është përçarje, dhe kujtoi kush e bën unitetin në Kishë:
“Shpirti i Shenjtë e bën larminë në Kishë e kjo larmi është tejet e pasur, jashtëzakonisht e bukur; por më pas, vetë Shpirti i Shenjtë bën unitetin. E kështu Kisha është një, në ndryshime. E, për të përdorur fjalën e bukur, që ka thënë një ungjillor, të cilin unë e dua shumë: është larmi e pajtuar nga Shpirti i Shenjtë”.
Uniteti, vijoi Papa, nuk është rrafshim, sepse Shpirti i Shenjtë bën dy gjëra: larminë e karizmave e harmoninë e karizmave: ekumenizëm do të thotë pikërisht të kërkosh që kjo larmi të jetë sa më e harmonizuar nga Shpirti i Shenjtë e të bëhet unitet.
Papa Françesku kërkoi, më pas, ndjesë, si bari i katolikëve, për ligjet e shpallura në të kaluarën kundër protestantëve, sepse u mbështetën dhe nga katolikët. Iu përgjigj, kështu, të gjithë atyre, që u habitën kur morën vesh se Papa shkoi t’i vizitonte pentekostalët. Po ai ua kthei vizitën, që i patën bërë në Buenos Aires:
Ndokush do të jetë habitur: ‘Po si kështu, Papa shkoi tek ungjillorët?’ Shkoi sigurisht, për t’u takuar me vëllezërit. Ju falënderoj shumë e ju kërkoj të luteni për mua, kam shumë nevojë… që të paktën të mos jem aq i keq. Faleminderit”








All the contents on this site are copyrighted ©.