2014-07-27 18:12:02

Thirrje e Papës për Lindjen e Mesme, Irakun e Ukrainën: ndaluni, ju lutem!


Në Engjëllin e Tënzot Papa kujtoi 28 korrikun e njëqind vjetëve më parë, kur bota hyri në udhën pa krye të Luftës I Botërore, duke theksuar se nuk duhen përsëritur gabimet e së kaluarës e se duhet vijuar udha e historisë në paqe, me dialog plot durim e guxim. Duke u lutur, më pas, për përfundimin e krizës në Lindjen e Mesme, në Irak e në Ukrainë, bëri thirrjen e dalë nga zemra: “Ndaluni, ju lutem!”. RealAudioMP3
Në komentin e Ungjillit të sotëm, u ndalua tek shpresa e zbulimit të Mbretërisë së Hyjit, që e ndryshon krejtësisht rrjedhën e jetës njerëzore.

“Ajo masakër e kotë”, siç e pati quajtur Benedikti XV Luftën I Botërore, la pas vetëm kufoma e gërmadha, me miliona. Kufoma njerëzish e shtetesh. Vdekje, uri, lot, humbje shpresash. Prekëse, fjalët, me të cilat e kujtoi Papa:
Nesër do të jetë ditë zije, në përkujtim të kësaj drame. E ndërsa kujtojmë këtë ngjarje tragjike, uroj të mos përsëriten kurrë më gabimet e së kaluarës, por të kemi përherë parasysh mësimin e historisë, duke u përpjekur të fitojnë gjithnjë arsyet e paqes, përmes dialogut durimtar e të guximshëm”.
Mendimi i Papës shkoi posaçërisht në zonat e krizës: në zonën e Lindjes së Mesme, në atë irakiane e ukrainase. E i kujtoi, për të kërkuar lutje:
“... që Zoti t’u japë popullsive dhe Autoriteteve të këtyre zonave urtinë dhe forcën e nevojshme për të ecur vendosmërisht përpara në udhën e paqes, duke i bërë ballë çdo kritike, me ngulmin e dialogut e të bisedimit e me forcën e pajtimit”.
Në qendër të çdo vendimi, shtoi Françesku, nuk vihen interesat e veçanta, por e mira e përbashkët dhe respektimi i çdo njeriu:
Kujtojmë se me luftën gjithçka humbet, me paqen nuk humbet asgjë. Vëllezër e motra: ‘Kurrë më luftë! Kurrë luftë!”.
Pastaj, një mendim plot dhimbsuri për fëmijët, të cilëve lufta u rrëmben jo vetëm miturinë, por edhe e, sidomos, shpresën për një jetë të denjë në të ardhmen:
… fëmijë të vdekur, fëmijë të plagosur, fëmijë të gjymtuar, fëmijë jetimë, fëmijë që kanë në dorë, në vend të lojërave, gëzhoja lufte, fëmijë, që kanë harruar të qeshin. Ndaluni, ju lutem! Jua kërkoj me gjithë zemër. Është koha për t’u ndalur. Ndalojuni, ju lutem!”.
I frymëzuar nga shëmbëlltyrat e Ungjillit të sotëm, Françesku kujtoi se njeriu mund ta zbulojë Mbretërinë e Hyjit krejt papritur, ashtu si katundari që, duke lëruar, gjen thesarin e pashpresuar; ose pas një kërkimi të gjatë, si tregtari i margaritarëve që, pas shumë ravgimesh, gjen perlën e pritur. Si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, nënvizoi Françesku, thesari e perla vlejnë më shumë se të gjitha pasuritë e tjera:
Nuk kanë nevojë të arsyetojnë, të mendojnë, të reflektojnë: kujtohen menjëherë për vlerën e pakrahasueshme të asaj, që kanë gjetur, e janë gati të humbasin gjithçka, për ta pasur vetëm atë”.
Kështu, edhe Mbretëria e Zotit:
“Kush e njeh Jezusin, kush e takon personalisht, mbetet i mrekulluar, i tërhequr në mënyrë të pakundërshtueshme nga gjithë ajo mirësi, gjithë ajo vërtetësi, gjithë ajo bukuri, e gjithçka, me përvuajtëri e thjeshtësi të pafundme. Ta kërkosh Jezusin, ta takosh Jezusin: ky është thesari i madh!”.
Ungjilli të bën ta njohësh Jezusin e vërtetë, të gjallë, t’i flet zemrës e ta ndryshon jetën:
Mund ta ndryshosh plotësisht tipin e jetës, ose mund të vijosh të bësh atë, që bëje më parë, por ti je tjetër, je i rilindur: gjete atë, që i jep kuptim, shije, dritë të gjithave, edhe lodhjes, edhe vuajtjes, edhe vetë vdekjes”.
Gjithçka fiton kuptim, kur e gjen këtë thesar, që Jezusi e quan “Mbretëria e Hyjit”:Këtë dëshiron Hyji, për këtë Jezusi dhuroi vetveten derisa vdiq mbi kryq, për të na çliruar nga pushteti i errësirës e për të na prirë drejt mbretërisë së jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.