2014-07-27 20:06:48

Papa meshtarëve të Kazertës: krijues, të bashkuar me ipeshkvin, pranë njerëzve


Dialog i thellë, që zgjati më se një orë, në një atmosferë shumë familjare, me batuta të mprehta e të qeshura me gjithë zemër: kështu ishte biseda e Papës me meshtarët e Kazertës, ngjarja e parë e vizitës në qytetin kampan. Takimi u mbajt në Pallatin Mbretëror, e pikërisht, në Kapelën Palatine. Siç ndodh shpesh, Papa e la mënjanë fjalimin e shkruar dhe iu përgjigj pyetjeve të priftërinjve. Pyetjes “cili është identikiti i priftit të sotëm”, iu përgjigj: “Gjëja e parë është të punojë me frymë krijuese":RealAudioMP3
Nëse duam të jemi krijues në Shpirtin Shenjt, domethënë në Shpirtin e Zotit Jezus, nuk ka rrugë tjetër, veç asaj të lutjes. Ipeshkvi që nuk lutet, prifti që nuk lutet e mbyll portën, e mbyll portën e frymës krijuese”.
Vlera e dialogut, pastaj:
Nëse unë nuk jam i sigurtë për identitetin tim e shkoj të dialogoj, nuk bëj tjetër veçse të shtrembëroj fenë time. Nuk mund të dialogohet, pa u nisur nga identiteti e empatia, domethënë të mos dënosh a priori. Çdo burrë e çdo grua, ka diçka të vetën për të dhuruar; çdo burrë e çdo grua ka historinë e vet, ka gjendjen e vet, e ne duhet ta dëgjojmë. Pastaj maturia e Shpirtit Shenjt do të na thotë si duhet të përgjigjemi”.
Kisha nuk rritet përmes prozelitizmit, rritet përmes thellimit të forcës së saj tërheqëse, vërejti Papa, që i nxiti të gjithë t’i thonë gjërat shkoqur, pa përgojuar. Françesku ngriti përsëri zërin kundër thashethemeve, duke nënvizuar dëmin e rëndë, që bëjnë. Vërejtje me vlerë jo vetëm për meshtarët, por për të gjithë, besimtarë e jo. Ja si duhet të veprojë meshtari, kur ka ndonjë pakënaqësi, pavarësisht nga pasojat:
“Ti je burrë, prandaj po të kesh ndonjë gjë kundër ipeshkvit, shko e thuaja në sy. Po pastaj do të ketë pasoja jo të mira. Do të ngarkohesh me kryq, po ji burrë! Nëse je burrë i pjekur e shikon ndonjë gjë në vëllain tënd meshtar, që nuk të pëlqen ose të duket e gabuar, shko e thuaja në sy, ose nëse e shikon se ai nuk do të ndreqet, shko e thuaja ipeshkvit ose mikut më të ngushtë të këtij meshtari, që të mund ta ndihmojë për t’u korrigjuar. Po mos shko t’ua thuash të tjerëve: sepse kjo do të thotë të përbaltësh njëri-tjetrin. E djalli shkrihet nga kënaqësia e një “gostie” e tillë, sepse kështu godet qendrën e përshpirtërisë së klerit dioqezan. Për mua përgojimet bëjnë dëm të rëndë”.
Papa pohoi se nuk dëshiron të shikojë priftërinj të zemëruar, që të duket sikur ushqehen veç me uthull. Nuk do një Kishë me njerëz të zemëruar, të zymtë, të acaruar. Do një Kishë gazmore, ku ndjehet fort uniteti i priftërinjve me ipeshkvin, ku vlerësohet larmia e karizmave, gjithnjë në unitet. Kujtoi, më pas, vlerën e shenjtëroreve e të rrëfyestoreve të tyre, ku shikohen mrekulli. Vlerësoi, kështu, përshpirtërinë popullore, lidhjen me popullin, që lutet, me popullin shtegtar, kërkoi të aktivizohen të rinjtë, me frymë krijuese, duke menduar forma të reja të impenjimit të tyre misionar.
Ati i Shenjtë e përfundoi takimin me fjalët:
“Ju falënderoj, vërtet, e ju kërkoj të luteni për mua, sepse edhe unë i kam vështirësitë e çdo ipeshkvi e duhet të marr ditë për ditë udhën e pendesës. Lutja njëri për tjetrin na bën mirë për të ecur përpara”.










All the contents on this site are copyrighted ©.