Sfera politike e shoqërore në fjalët e Françeskut: intervistë me atin jezuit Francesco
Occhetta
Papa Françesku më se një herë ka prekur çështje të sferës publike, duke nisur nga
puna, korrupsioni, kriminaliteti i organizuar. Me çfarë efekti?
“Papa po i zgjon
ndërgjegjet. Po u flet njerëzve të thjeshtë e shoqërisë, më shumë sesa përmasave institucionale
e politike. Po kërkon riorganizimin e shoqërisë. Kërkon që nga gjiri i saj të lindin
kultura të reja politike, burra të rinj e gra të reja, që nuk i përkasin vetëm shtresës
politike, ku rriten pranë e pranë gruri e egjra. Ja, pra, mund të themi se Papa po
mbjell në truallin e shoqërisë. Po i zgjon ndërgjegjet. Thekson se korrupsioni është
sëmundje, që duhet shëruar. Kërkon që secili të marrë mbi vete përgjegjësitë e veta.
Kërkon nga hjerarkia e nga priftërinjtë të mos merren me problemet konkrete, por t’i
shoqërojnë proceset dhe gjykimet e shekullarëve në politikë. Kërkon, për temat ndërkombëtare,
për paqen, drejtësinë, punën, të bashkëpunojë edhe me njerëz, që nuk besojnë”.
Atë
Occhetta, a po ndryshon, me Françeskun, roli i katolikëve në politikë?
“Do
të thosha se jo. Papa po çon përpara vijën, që e gjeti në Kishë, atë të përgjegjësisë
për formimin e shekullarëve. I ka ftuar disa herë të impenjohen. Po i flet, siç e
thashë, më shumë shoqërisë, sesa institucioneve. Ndërmjet tjerash, Papa i përket një
konteksti shoqëror, si ai i Amerikës Latine, tejet i rëndësishëm, ku konfliktet shoqërore
janë shumë të ndjeshme e hendeku shoqëror ndërmjet shtresave të shoqërisë, tejet i
thellë. Ku, nëse nuk mbrohen njerëzit, që nuk kanë zë, veprimtaria politike nuk ka
kurrfarë fryti, madje bëhet e rrezikshme, sepse mjaftohet me mbrojtjen e pushtetit.
E Papa është tejet i ndjeshëm ndaj një situate të tillë”.
Sa mund ta dëmtojë
drejtimin e së mirës së përbashkët, në një shoqëri moderne, si jona, kriza e kërkimit
të Zotit?
“Kriza e kërkimit të Zotit nuk ndihmon për të pasur horizont të
përbashkët, e as për ta vënë të mirën e përbashkët mbi interesat vetjake e partiake.
Kur njeriu beson në Zotin, në Zotin që mishërohet, ç’duhet të bëjë? Duhet t’i mishërojë
ndjetet e qëllimet e veta. Të jetojë, si jetoi Zoti. Të falë, t’i zgjidhë problemet
e paqes e të konflikteve e t’i përshkojë udhët e botës, duke dëshmuar të vërtetën
e duke e kërkuar këtë të vërtetë edhe brenda ndërgjegjes së tij. Përvoja e Zotit e
ndihmon shoqërinë të jetojë. Nuk është aspak e vërtetë se përvoja e Zotit në politikë
mungon. Problemi është se ndjehet gjithnjë më pak, sepse ka shumë forca të pushtetshme
që, objektivisht, mundohen t’ia zënë frymën kërkimit të Zotit në këtë sferë kaq të
rëndësishme. Pse? Sepse i pengon shumë këto forca, që duan ta përjetësojnë pushtetin”.
Faktikisht,
të duket se politika ka prirjen t’i fshehë vlerat e parimet. Politikanëve u pëlqen
më shumë të mendojnë për një shoqëri të lehtë, të kërkojnë miratime që arrihen lehtë,
për ta kënaqur lehtësisht opinionin publik. Është zanafillë e pushtetit të ri?
“E
vërteta është se janë zhvendosur qendrat e pushtetit e politika nuk është më e para
në drejtimin e tyre. Nga njëra anë shtypet nën thundrën e financës, duke nisur nga
liberalizmi që, me globalizimin, i rrënoi tregjet e kursimet e shumë njerëzve të varfër.
E komandon, sepse një industri e madhe globale sot mund të ndikojë shumë më tepër
mbi vendimet e qeverive në shtetet e ndryshme. Ndërsa nga ana tjetër, shikojmë një
instancë të tërë, që po lind nga shoqëria civile. Kërkohet nga politika t’i drejtojë
me frymë më njerëzore shumë procese e shumë tema, që as politika nuk ishte ende e
gatshme t’i drejtonte. Mendojmë për temat shoqërore, temat antropologjike, temat kulturore;
për filozofinë e re, që hyn nga Amerika; për gjithë diskutimin pas-human. Mendoj se
teknicizimi i politikës, mediatizimi e privatizimi i saj, janë tema që i kanë penguar
ndryshimet e vetë politikës. Me mbylljen në oligarkinë politike, partitë nuk lejojnë
që aty të hyjnë njerëz të dalë nga gjiri i shoqërisë civile e të ligjëruar nga vetë
populli. Kam përshtypjen se partitë, të gjitha, sundojnë duke u rrethuar fort me gardhin
e vetëpëlqimit, të vetëvlerësimit, gjë që shpesh nuk ka të bëjë fare me atë që dëshirojnë
njerëzit e thjeshtë”.