2014-07-27 15:59:00

Nënë Tereza në Republikën Srpska


Kohët e fundit, një shfaqje artistike për Nënë Terezën po bën xhiron e Bosnjës. Quhet “Majka Tereza – Svetica Tame” (Nënë Tereza – Shenjtja e Errësirës). Më 19 qershor, drama e frymëzuar nga jeta e së Lumes shqiptare të bamirësisë, vënë në skenë nga Shoqata Kulturore “Napredak” me regji të Gradimir Gojer, boshnjak me origjinë kroate, u shfaq për herë të parë në Teatrin Popullor të Sarajevës. Më 15 korrik, pati sukses të jashtëzakonshëm në Banja Lukë, kryeqendra e Republikës Srpska të Bosnjës, ku, siç nuk mund të mendohej kurrë më parë, boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonas dhe shqiptarë, duartrokitën fuqishëm aktorët nga Bosnjë-Hercegovina, nga Kroacia dhe nga Kosova. Ilir Tafa ishte artisti shqiptar nga Prishtina në këtë shfaqje, bazuar në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski. Rolin e Nënë Terezës e luajti Kostandinka Velkovska, artiste e njohur e Teatrit Kerempuh në Zagreb. Pritet që trupa teatrale të niset për një turne ballkanik, për ta shfaqur kudo, dramën për figurën e madhe të shenjtes shqiptare.
E është pozitiv edhe fakti se mediat e gazetarët, megjithëse pa i harruar pasojat e luftrave të fundit në Ballkan, theksojnë nevojën e dialogut e të shkëmbimeve kulturore ndërmjet popujve. Citojmë Ukë Lushin , i cili shkruan kështu në faqet e Gazetës “Blic” të 21 korrikut: “Majka Tereza- Svetica Tame”, natyrisht që do të ngrinte në këmbë së bashku [në duartrokitje] boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republikës Srpska, ku deri para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin thua se fati i universit varej nga lufta e jo nga paqja mes tyre. Urat janë më të dobishme dhe më të rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë. Është e mundur të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta, një ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.