2014-07-25 14:21:29

Në Gazë punohet për armëpushimin. Goditet shkolla e OKB-së: 17 viktima


Orë të ethshme bisedimesh në Lindjen e Mesme për të arritur një armëpushim humanitar, që t’i detyrojë të heshtin armët në Rripin e Gazës. Ndërkaq, luftimet izraelito-palestineze kanë arritur në ditën e tyre të 18-të, duke lënë pas rreth 800 të vdekur nga ana palestineze e 33 nga ana izraelite. Nuk kursehen as vendet, që konsideroheshin të sigurta, si shkolla e OKB-së në Beit Hanun, ku sulmi izraelit i djeshëm shkaktoi 17 viktima e 200 të plagosur, duke zgjuar protestën e të gjithë botës. Shpresohet në përgjigjen pozitive ndaj planit, paraqitur të dyja palëve nga Sekretari i shtetit amerikan, John Kerry, i cili sot do të largohet nga Kajro, ku përveç Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun mbërriti edhe ministri i jashtëm anglez.
Sipas propozimit në tryezën e bisedimeve, luftimet do të ndalen për një javë, duke filluar që nesër. Gjatë kësaj kohe, do të vazhdojnë dialogun për një armëpushim më të qëndrueshëm. Ndërkaq, ushtria izraelite do të vazhdojë të qëndrojë brenda Rripit të Gazës për të gjetur e shkatërruar tunelet, që përdoren si depo armatimesh, por edhe si kalim për mercenarët. Kreu i Hamasit, Khaled Meshaal, ka deklaruar se e dëshiron armëpushimin, por ai duhet të shoqërohet me fundin e bllokimit të Gazës.
Dje, mori detyrën presidenti i ri i Izraelit, Reuven Rivlin, me një ceremoni, që nuk do të harrohet për shkak të përshëndetjes së lamtumirës e të urimit mallëngjyes për paqe të ish-kryetarit të shtetit, Shimon Peres. Sot, Këshilli ministror i sigurisë duhet të përcaktojë afatet e një armëpushimi humanitar prej disa ditësh, i cili mund të shtyhet deri në fund të Ramazanit, javën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.