2014-07-25 13:02:31

Meriam e lirë, por një grua tjetër, nënë e 8 fëmijëve, detyrohet të heqë dorë nga krishterimi


Siç ju njoftuam në emisionin e djeshëm, gruaja e krishterë sudaneze, Meriam, dhe familja e saj mbërritën në Itali, ku u takuan edhe me Papën Françesku. Ati i Shenjtë e falenderoi për qëndresën e saj në fe. Vërtet, Meriam nuk pranoi të kthehej në fenë myslimane, pavarësisht se e dënuan me vdekje për apostazi, vetëm sepse ishte martuar me një të krishterë. Ajo konsiderohej nga Sudani myslimane, pasi i ati është mysliman, por Meriam ka jetuar gjithnjë me nënën e krishterë, e cila e ka edukuar me këtë fe. U detyrua të lindë në pranga vajzën, që mbante në bark, por tani vuajtjet e saj morën fund. Ndodhet në Itali, në pritje për t’u nisur për në SHBA-të, ku do të banojë së bashku me të shoqin.
Rasti i Meriamit është emblematik. Po në Sudan, një grua tjetër, nënë e 8 fëmijëve, është detyruar ta mohojë fenë e krishterë publikisht, për të shpëtuar nga dënimi. Në shumë vende të botës nuk ekziston e drejta për lirinë fetare e në disa të tjerë, pavarësisht se njihet zyrtarisht, nuk respektohet. Folëm për këtë me kryetarin e Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, imzot Mansueto Bianchi:RealAudioMP3
Kur flasim për lirinë fetare, nuk kemi të bëjmë me çdo lloj lirie e aq më pak, me një liri të dorë së dytë në jetën e njeriut. Ajo është baza e të gjitha lirive, sepse është fjala për një botë bindjesh e vlerash, të cilat i kanë rrënjët thellë në shpirtin e njeriut. Prej tyre njeriu nxjerr orientime, kritere për marrjen e vendimeve, për gjykimet, për marrëdhëniet. E mungesa e lirisë fetare dëmton drejtpërdrejt rrënjët e dinjitetit të njeriut. Duke dëmtuar kështu, themelet e çdo lirie.
Meriami mallëngjeu botën: grua, shtatzënë në muajin e tetë, lindi në burg, e dënuar me fshikullim e me vdekje, sepse nuk deshi ta mohojë fenë e vet. Po të tjerat? Reflektimi mbi problemin e lirisë fetare duhet të jetë më i gjerë, apo jo?
Besoj se po. Sidomos, mendoj se duhet të impenjohemi për ta respektuar me të vërtetë ndërgjegjen e njeriut. E kjo nuk vlen vetëm për një zonë të caktuar gjeografike apo kulturore; vlen edhe për Perëndimin tonë, që e konsideron veten kaq të përparuar. Duhet ta njohim parësinë e ndërgjegjes së njeriut e ta respektojmë atë, ta kthejmë në vlerë, brenda së cilës askush nuk duhet të guxojë të hyjë me hap ushtarak, duke përplasur fort këmbët, duke e manipuluar. Rasti i Meriamit ishte vërtet i tmerrshëm, sepse një grua u poshtërua aq shumë sa e detyruan të lindë në burg, e lidhur me zinxhirë. Jo vetëm u shkel dinjiteti i kësaj gruaje, por, në një farë kuptimi, u shkel dinjiteti i vendit dhe i njerëzve, që e menduan dhe e zbatuan këtë lloj qëndrimi ndaj Meriamit. Është akt absolut çnjerëzor, që duhet dënuar e hedhur poshtë pa asnjë diskutim, duke e vënë në punë inteligjencën e ndërgjegjen për të vigjëluar që këto gjëra të mos ndodhin më. Por, fatkeqësisht, po ndodhin kudo përreth nesh. Dua të shtoj edhe një gjë tjetër: do të doja që këto ngjarje të mos na bindin për të hyrë në rrugë të ashpra reciprociteti me këto vende e me këto kultura, siç mund të na këshillojë instinkti. Duhet të na ndihmojnë për të besuar edhe më shumë në rrugën e dialogut, që duhet ta praktikojmë ne të parët, sidomos me anëtarët e atyre vendeve, të atyre kulturave e të atyre përvojave fetare, që i dënojnë këto ngjarje.
Një dialog, në të cilin mund të jenë protagonistë edhe laikët: kujtojmë këtu se e drejta për lirinë fetare është edhe e drejtë për të mos besuar, prandaj përfshin edhe jo besimtarët…
Sigurisht. E më duket e rëndësishme dhe interesante. Kemi dëgjuar ndonjë zë alarmues… por, të them të drejtën, do të kisha dashur të dëgjoj ndonjë zë më të lartë e më të shpeshtë e, madje, edhe ndonjë zë më shumë nga bota islamike. Megjithatë, e përsëris, këtu, më shumë se me problem fetar, kemi të bëjmë me një problem të arsyes dhe të ndërgjegjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.