2014-07-25 13:02:47

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (4)


Mungojnë më pak se dy muaj nga 21 shtatori, dita kur Ati i Shenjtë do të jetë mes shqiptarëve. Për të mos e harruar afrimin e shpejtë të kësaj vizite e të këtij bekimi për trojet shqiptare, ne vijojmë rrëfimin e Françeskut për Papën, Kishën e Botën, duke nisur nga intervista e tij dhënë gazetës “La Vanguardia”, për të vijuar edhe me të tjera. Sot Françesku, intervistuar nga Henrique Cymerman, flet për konfliktin në Katalonjë të Spanjës, lutjen për paqen, të diel, më 8 qershor; u përgjigjet pyetjeve: “Pse keni zgjedhur rrugën për t’u hedhur i tëri në atë flakë pushke, që është aktualisht Lindja e Mesme” dhe “Pse për çdo të krishterë ka shumë rëndësi të vizitojë Jeruzalemin e Tokën Shenjte?”… Ta dëgjojmë Papën…RealAudioMP3

A ju shqetëson konflikti në Katalonjë të Spanjës?

Çdo përçarje më shqetëson. Ka pavarësi për emancipim e ka edhe për shkëputje. Pavarësi për emancipim, për shembull, janë ato të shteteve amerikane, që u emancipuan nga ato evropiane. Pavarësitë për shkëputje janë për copëtim nganjëherë shumë të qartë. Të mendojmë për ish-Jugosllavinë. Natyrisht janë popuj me kultura aq të ndryshme, sa nuk mund t’i ngjitësh as me tutkall. Rasti i Jugosllavisë është shumë i qartë, por mua më lind pyetja a është po kaq e qartë për popujt e tjerë, që janë bashkuar deri tani? Duhen studiuar rastet një për një. Skocia, Padania, Katalonja… Ka raste të drejta e të tjera, jo të drejta, por ndarja e një kombi pa asnjë arsye, që flet për bashkim të detyruar, duhet trajtuar me shumë maturi e duhen analizuar të gjitha aspektet.

Lutja për paqen e së dielës, 8 qershor, nuk ishte e lehtë për t’u organizuar, sepse e pashembullt si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në botë. Si e ndjetë veten?

Ju e dini se nuk ishte aspak e lehtë, sepse ishit mes nesh e edhe pse ju përket një pjesë e mirë e suksesit. Ndjeva se ishte diçka, që na rrëshqiste të gjithëve.
Në fillim, këtu, 99% e vatikanistëve thoshte se nuk do të bëhej, pastaj 1,1%-shi nisi të rritej. Ndjeva se ishim të shtyrë nga diçka, që nuk na kishte shkuar nëpër mend ne e që, pak nga pak, merrte formë. Nuk ishte aspak akt politik, e këtë e ndjeva menjëherë, por thjesht fetar: për të hapur një dritare në botë.

Pse keni zgjedhur rrugën për t’u hedhur i tëri në atë flakë pushke, që është aktualisht Lindja e Mesme?

E vetmja flakë pushke, për shkak të entuziazmit shpërthyes, ishte Dita botërore e rinisë, në Rio de Zhanèjro, vitin e kaluar. Vendosa të shkoj në Tokën Shenjte, sepse më ftoi presidenti Peresh. E dija se mandati i tij përfundon këtë pranverë, prandaj e ndjeva veten, në një farë mënyre, të detyruar për të shkuar sa më parë. Ishte ftesa e tij, që më bëri ta shpejtoj shtegtimin. Nuk e kisha në mend ta bëja.

Pse për çdo të krishterë ka shumë rëndësi të vizitojë Jeruzalemin e Tokën Shenjte?
Për arsye të Zbulesës! Për ne, gjithçka nisi atje. Është si “qiell i zbritur mbi tokë”, përshpejtim i asaj, që na pret në botën tjetër, në Jeruzalemin qiellor.

Ju e miku juaj, rabini Skorka, u përqafuat para Murit të Lotëve. Ç’vlerë pati ky gjest për pajtimin e të krishterëve me hebrenjtë?

Përballë Murit ishte edhe miku im i mirë, profesori Omar Abbud, kryetar i Institutit ndërfetar të Buenos Aires. Desha ta ftoja. Është njeri shumë besimtar, baba i dy fëmijëve. E edhe mik me rabinin Skorka. I dua fort që të dy, e desha edhe që miqësia e jonë të shikohej si dëshmi.








All the contents on this site are copyrighted ©.