2014-07-24 14:18:54

Selia e Shenjtë për Gazën: nuk ka të fituar nëse nuk ndalet dhuna


“Zërin e arsyes duket se po e mbyt zhurma e armëve”. Kështu pohoi dje Imzot Silvano Maria Tomasi, gjatë seksionit të veçantë të Këshillit të OKB-së së Gjenevës për të drejtat a njeriut, që iu kushtua përshkallëzimit të konfliktit izraelito-palestinez.

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së Kombeve të Bashkuara në qytetin zviceran theksoi se “dhuna nuk do të çojë askund, as tani as në të ardhmen. Kryerja e padrejtësive dhe dhunimi i të drejtave të njeriut, veçanërisht i të drejtës për të jetuar dhe për të jetuar në paqe e siguri – vijoi Imzot Tomasi – hedhin farën e freskët të urrejtjes e të mërisë. Po zë rrënjë kultura e dhunës, frytet e së cilës janë shkatërrimi dhe vdekja. Për një kohë të gjatë nuk do të ketë fitimtarë në tragjedinë aktuale, por vetëm më shumë vuajtje. Pjesa më e madhe e viktimave janë civilë, të cilët duhet t’i mbrojë e drejta humanitare ndërkombëtare. Kombet e bashkuara thonë se rreth shtatëdhjetë për qind e palestinezëve të vrarë janë civilë të pafajshëm. Kjo është e patolerueshme, sikurse edhe raketat e hedhura pa kriter drejt objektivave civile në Izrael. Ndërgjegjet janë mpirë për shkak të klimës së gjatë të dhunës, e cila e kërkon zgjidhjen me anë të asgjësimit të tjetrit. Demonizimi i të tjrëve, megjithatë, nuk i zhduk të drejtat e tyre. Përkundrazi, rruga për të ardhmen gjendet duke njohur njerëzinë tonë të përbashkët”.
Imzot Tomazi citoi fjalimin e mbajtur nga Papa Françesku në Betlehem, gjatë shtegtimit në tokën e Shenjtë: “Për të mirën e të gjithëve – pati thënë Papa – është e nevojshme të shtohen përpjekjet dhe nismat për të krijuar kushtet e një paqeje të qëndrueshme, të mbështetur në drejtësinë, në pranimin e të drejtave të secilit dhe në sigurionë e ndërsjellë. Ka ardhur çasti për të gjithë për të gjetur guximin e bujarisë dhe të krijimtarisë në shërbim të së mirës, guximin e paqes, që mbështetet në pranimin nga ana e të gjithëve të së drejtës së dy shteteve për të ekzistuar dhe për të gëzuar paqen dhe sigurinë brenda kufinjve të njohur ndërkombëtarisht”.
“Aspirata e ligjshme për siguri nga njëra anë – vijoi prelati – dhe për kushte dinjitoze për jetesë nga ana tjetër, që mundësojnë arritjen e mjeteve normale të jetesës, si barnat, ujin dhe vendin e punës, përbën një të drejtë njerëzore themelore, pa të cilën paqja është shumë e vështirë të ruhet”.
“Përkeqësimi i gjendjes në Gazë – tha imzot Tomasi – bën thirrje të pareshtur për ta ndërprerë zjarrin menjëherë dhe për të nisur negociatat për paqen e qëndrueshme”. “Paqja do të sjellë dobi të pafundme për popujt e këtij rajoni dhe për mbarë botën” – pati thënë Papa Françesku – “prandaj duhet ndjekur me vendosmëri, edhe pse secila palë duhet të flijojë diçka”. “Është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare – nënvizoi më tej Imzot Tomasi – të angazhohet në mënyrë serioze për të kërkuar paqe dhe për të ndihmuar palët në këtë konflikt të arrijnë një mirëkuptim, me qëllim që ta ndalin dhunën dhe të shikojnë drejt së ardhmes me besim të ndërsjellë”.
Përfaqësuesi i Vatikanit përsëriti se “dhuna nuk jep kurrë fryte. Dhuna do të sjellë vetëm më shumë vuajtje, rrënim e vdekje, dhe do ta pengojë paqen të bëhet realitet. Strategjia e dhunës mund të jetë ngjitëse e të bëhet e pakontrollueshme. Për të luftuar dhunën dhe pasojat e saj negative – nënvizoi – nuk duhet të mësohemi me vrasjet. Në një çast kur brutaliteti është i zakonshëm dhe shkeljet e të drejtave njerëzore janë të kudondodhura, nuk duhet të bëhemi indiferentë, por duhet të përgjigjemi në mënyrë pozitive, për ta zbutur konfliktin, që na përket të gjithëve”.
Mediat – vuri në dukje Imzot Tomasi – “duhet ta pasqyrojnë në mënyrë të drejtë e të paanshme tragjedinë e të gjithë atyre që vuajnë për shkak të konfliktit, me qëllim që të lehtësojnë zhvillimin e dialogut të asnjëanshëm, duke njohur të drejtat e të gjithëve”. “Qerthulli i përsëritur i kahmarrjes dhe i kundërpërgjigjeve duhet të marrë fund” – përfundoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës. “Me dhunë, burrat e gratë do të vijojnë të jetojnë si armiq e kundërshtarë, por në paqe mund të jetojnë si vëllezër e motra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.