2014-07-23 12:01:23

Shkrimtari mysliman Tawfik nga Iraku: të krishterët kanë të drejtë të rrinë më shumë se ne


“Guxoj të them se të krishrët irakianë të Mosulit kanë të drejtë të rrinë në tokën e tyre dhe në shtëpitë e tyre më shumë se ne. Ata banojnë në këtë qytet që para se të vinte islami dhe fiset arabe, prandaj ne e kemi për detyrë t’u dalim zot e t’i mbrojmë”. Kjo është deklarata e shkrimtarit irakian Younis Tawfik, mysliman sunit, lindur në Mosul e me banim në Itali nga 1979. “Dëbimi i të krishterëve dhe rrënimi i Mosulit, qytetit tim – shpjegon – janë për mua një plagë shumë e e thellë”. “Kam ardhur në Itali në fund të viteve ’70, falë një katoliku, falë mësuesit tim Atë Yousuf Habbi, studiues i Komedisë Hyjnore, i diplomuar në Universitetin Katolik, njeri i hapur ndaj dialogut Lindje-Perëndim”. Tawfik nuk e shikon si diçka të papritur, fatkeqësisht, përhapjen e xhihadistëve të Isis-it në Irak. “Është pasojë e qeverisë dështake, të përlyer me korrupsion, e cila nuk ia ka dalë ta çojë përpara procesin e demokratizimit të vendit”. “Të krishterët irakianë, gjatë shekujve, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për rritjen e Irakut dhe kanë qenë shumë bujarë”, shton skrimtari me banim në Itali. “Shkrimtarët më të mëdhenj, artistët, mjekët e shkencëtarët i kanë përkitur pikërisht fesë së krishterë. Njerëz që kanë ditur ta vlerësojnë kulturën arabe, aq sa fjalorët e parë të arabishtes dhe studimet e para për këtë kulturë i kanë bërë pikërisht të krishterët e Lindjes”.
“Edhe familjarët e mi, që janë në Irak, janë shumë solidarë me të krishterët e përndjekur” – shton Tawfik. “Fatkeqësisht nuk kanë shumë mundësi për t’i ndihmuar. Edhe të afërmit e mi janë nën arrest, në qytetin e tyre të nënshtruar nga njerëzit e Isis-it, nën Abu Bakr al-Baghdadin”. “Megjithatë – shpjegon Tawfik – është e rëndësishme deklarata e ulemëve, të urtët e islamit në Mosul, të cilët e kanë dënuar me forcë veprimin e Isis-it dhe thonë se është në kundërshtim me parimet e islamit dhe me sjelljen e profetit”. Nuk është më epoka e kalifatëve, nuk jemi më në perandorinë osmane, sot jemi të gjithë qytetarë të një vendi të cilit i përkasin edhe të krishterët, madje ata kanë të drejtë të qendrojnë aty më shumë se ne”. “E pastaj, ky kalifat, në të vërtetë, është një organizatë kriminale”.
“Një mik i imi, shkrimtar irakian – thotë Tawfik – më ka dërguar një mesazh me anë të internetit, për të më treguar dramën e tmerrshme të njerëzve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, dyert e të cilëve janë shenjuar me shkronjën ‘N’. Kam parë fotografitë e lagjes së krishterë të Mosulit krejtësisht të zbrazur. Është një fakt i pabesueshëm, që nuk kishte ndodhur kurrë në epokën moderne dhe që duhet dënuar jo vetëm nga të urtët e islamit, të cilët e kanë dënuar, por nga të gjithë myslimanët në nivel kombëtar dhe nga qeveritë arabe. E, pastaj, dikush duhet të lëvizë për t’i dhënë fund kësaj drame”.








All the contents on this site are copyrighted ©.