2014-07-22 15:05:11

Vizitë e Relatorit të veçantë të OKB-së për lirinë fetare në Vietnam


Relatori i veçantë i OKB-së për lirinë fetare, Heiner Bielefeldt, ndodhet për vizitë në Vietnam, nga 21 deri më 31 korrik. Qëllimi është njohja e vendit dhe e pengesave për gëzimin e plotë të së drejtës së lirisë fetare, në një shtet, ku akoma mbijeton socializmi real i tipit sovjetik. Në përfundim, do të mbajë një konferencë shtypi në Hanoi, më 31 korrik, e do të paraqesë një raport me rekomandimet e tij për Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut, që do të mbahet në vitin 2015.
Organizatat e shoqatat për të drejtat e njeriut si “Christian Solidarity Worldwide” (Solidariteti i Krishterë Botëror) kërkojnë që Relatori i OKB-së të ketë mundësi të lëvizë lirisht në vend dhe të takohet me të gjitha bashkësitë fetare. Sipas të dhënave të Solidaritetit, në periudhën 2013-2014, bashkësitë fetare vietnameze kanë qenë në qendër të veprimtarisë frikësuese, të kontrollit, arrestimeve, torturave e vrasjeve pa gjyq. Viktimat janë si “të kthyerit e rinj”, ashtu edhe anëtarët e feve me traditë të lashtë në vend: protestantët, katolikët, budistët Hoa Hoa, myslimanët, ndjekësit e Cao-s, etj..
Organizata botërore bashkohet me shqetësimet e krerëve fetarë për Dekretin 92 mbi veprimtaritë fetare, i cili përmban një terminologji të mjegullt, bazë për vendosjen e pengesave të reja burokratike kundër veprimtarive paqësore dhe të ligjshme të besimtarëve. Vihen në dukje shkeljet e rënda të lirisë fetare në bashkësitë e krishtera protestante në rrafshnaltat e qendrës e të veriperëndimit, si edhe në bashkësitë katolike në zona të ndryshme të vendit. Solidariteti i Krishterë Botëror e fton relatorin t’i vizitojë këta besimtarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.