2014-07-22 19:41:08

Rrezikohet zhdukja e të krishterëve në Irak


Vëllezër e motra “të përndjekur”, “të dëbuar” nga shtëpitë, “të zhveshur nga çdo gjë”. Janë të krishterët e Mosulit dhe në përgjithësi të Irakut, siç u shpreh Papa, me rastin e lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës. Papa u lut edhe një herë për pajtimin në Irak, ku mbizotëron dhuna, nën sulmet e xhihadistëve të Shtetit islamik.
“Krim kundër njerëzimit”. Për përndjekjen e të krishterëve në Mosul nga xhihadistët e Isis-it dhe nga grupet e armatosura lidhur me formacionin ekstremist, foli edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon. Pas djegjes, në Irak, të pallatit ipeshkvnor të siro-katolikëve, gjatë orëve të fundit islamistët e Kalifatit islamik të vetëshpallur kanë zaptuar manastirin e lashtë të Mar Behnamit, afër Karakoshit, deri tani nën kujdesin e murgjërve siro-katolikë. Këtë e pohoi edhe kryeipeshkvi siro-katolik i Mosulit, Yoanna Petros Moshe, për agjencinë Fides. Për emergjencën e të krishterëve të Mosulit, sot është në program në Ankawa, afër Erbilit, në Kurdistanin irakian, mbledhja e ipeshkvinjve lokalë me diplomatët e huaj dhe me politikanët e vendit.
Ndërsa në mbarë Irakun vijon dhuna dhe sulmet, me 16 viktima vetëm gjatë natës së kaluar në Mahmudije dhe në Abu Graib, pranë Bagdadit, mbijetesa e bashkësisë së krishterë të Irakut duket gjithnjë e më e rrezikuar. Edhe kryeministri irakian, Nuri al Maliki, u bëri thirrje të gjitha vendeve të botës të “reagojnë të bashkuar kundër krimit të fundit të shtetit islamik, që i ka dëbuar me forcë të krishterët e Mosulit”. “Dhimbja për fatin e dëshpëruar të shumë njerëzve të pafajshëm është e pamasë” – tha edhe kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës Vaikanase për Kishat Lindore.
Për situatën në vend, radio Vatikani foli me ipeshkvin ndihmës të Bagdadit Saad Sirub:
Disa familje kanë shkuar në veri, drejt Kurdistanit; të tjera drejt Erbilit e të tjerat në fshatrat e krishtera në rrafshin e Ninivës. Pra këto familje janë shpërndarë në vende të ndryshme sot. Janë në kushte shumë të vështira, sepse nuk kanë asgjë: u kanë rrëmbyer makinat, paratë, shtëpitë dhe u kanë hequr punën. Nuk munden as të kthehen. Pra, situata është shumë kritike: nevojitet një ndërhyrje e ngutshme për t’i ndihmuar këto familje për të kapërcyer tragjedinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.