2014-07-22 14:56:13

Fillojnë përgatitjet për Kongresin e tretë ndërkombëtar të lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të reja


“Gëzimi i Ungjillit, gëzim misionar”. Do të jetë kjo tema e Kongresit të tretë botëror të lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të reja, që do të mbahet në Romë , pranë Kolegjit Ndërkombëtar Papnor “Maria Mater Ecclesiae”, më 20-22 nëntor 2014. Do të marrin pjesë, me ftesë të Këshillit Papnor për Laikët, delegatët e shoqatave ndërkombëtare më të përhapura në botë, që mbajnë lidhje të pashkëputura me dikasterin vatikanas.
Tema e takimit lindi nga një fragment i Thirrjes apostolike “Evangelii gaudium” (n.21), ku lexohet: “Gëzimi i Ungjillit, që e mbbush jetën e bashkësisë së nxënësve, është gëzim misionar (...) Ka gjithmonë dinamikën e daljes dhe të dhuratës, të daljes nga vetvetja, të ecjes dhe të mbjelljes, gjithmonë sërish, gjithmonë më tej. Zoti thotë: ‘Të shkojmë tjetërkund, në fshatrat e afërm, që të predikoj edhe atje, se për këtë kam ardhur!’ (Mk 1,38). Kur e mbjell farën në një vend, (Jezusi) nuk ndalet më aty, për ta shpjeguar më mirë apo për të bërë të tjera shenja, por Shpirti e shtyn të niset drejt fshatrave të tjerë”.
“Thirrja apostolike Evangelii gaudium – shpjegon në një njoftim Këshilli Papnor për Laikët – duket se është doracaku i mirëfilltë për lëvizjet kishtare dhe bashkësitë e reja. Në këtë dokument Papa Françesku thotë se nevoja për një etapë të re ungjillëzuese të karakterizuar nga gëzimi, “gëzimi i ëmbël dhe ngushëllues i ungjillëzimit” (khs. N.9), është objektivi parësor për ecjen e Kishës në ditët tona”. Qëllimi kryesor i Kongresit, pra, është “të nxjerrë në pah e të inkurajojë edhe më shumë pjesëmarrjen e hareshme të lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të reja në ftesën këmbëngulëse të Papës për të hyrë në dinamikën e daljes misionare”.
Për këtë ngjarje janë regjistruar më se tetëdhjetë shoqata ndërkombëtare dhe më se pesëdhjetëepesë themelues e eprorë të përgjithshëm të bashkësive të ndryshme të shpërndara nëpër botë, të cilët do të shoqërohen, gjatë ditëve të Kongresit, nga disa ipeshkvinj dioqezanë dhe anëtarë të Kurjes romake, shenjë konkrete e bashkimit kishtar.
Kryeudha e përgatitjes së Kongresit – shpjegon Kardinali Stanislaw Rylko, kryetar i dikasterit – është ftesa e Papës Françesku për të ndërtuar një Kishë në dalje, që bëhet protagoniste e shndërrimit të vet misionar, edhe nëpërmjet kontributit të lëvizjeve kishtare dhe të bashkësive të reja, sepse “bashkësitë bazë dhe bashkësitë e vogla, lëvizjet dhe format e tjera të shoqatave, janë pasuri e Kishës, të cilën e dërgon Shpirti i Shenjtë për të ungjillëzuar të gjitha mjediset dhe sektorët” (n. 29).
“Kongresi i nëntorit – vijon Imzot Josef Klemens, sekretar i Këshillit Papnor për Laikët – synon të jetë një përgjigje e qartë dhe vendimtare e lëvizjeve kishtare dhe e bashkësive të reja në lidhje me ndihmesën e tyre për një rizgjim misionar të tërë Kishës”. Karakteri i kësaj ngjarjeje, nënvizon prelati, do të jetë ai i “takimit, i dialogut dhe i dëgjimit të ndërsjellë. Nuk bëhet fjalë për një takim me karakter akademik, ku ekspertët japin konferenca para pjesëmarrësve dëgjues, por një shkëmbim idesh, përsiatjesh dhe përvojash, ku vetë kongresistët, në hapësirat e shumta dhe të gjëra, që do t’i lihen debatit, dhe në çastet e përbashkëta, mund të bëhen aktorët kryesorë të Kongresit, duke ndarë me njëri-tjetrin të gjitha mendimet dhe vlerësimet lidhur me temat e propozuara”.
Kujtojmë se edicionet e shkuara të Kongresit u mbajtën më 1998 dhe më 2006, me rastin e takimit të tyre me Gjon Palin II dhe Benediktin XVI, për të reflektuar së bashku mbi tematikat më të ngutshme dhe më të spikatura në lidhje me identitetin dhe misionin e shoqatave të besimtarëve në Kishë e në Botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.