2014-07-21 13:58:53

Shkallëzim i dhunës mbi Gazën: vetëm dje, më se 130 të vdekur


Akte të reja dhune, dje, mbi Gazën: me gjetjen e 16 trupave të tjerë pa jetë nën një shtëpi të bombarduar nga ushtria izraelite, arrin në 130 bilanci i viktimave të 24 orëve të fundit. Sipas burimeve mjekësore palestineze, që nga fillimi i sulmit numri i të vdekurve e ka kaluar 501-in. Më se një e treta, janë gra e fëmijë. 13, numri i ushtarëve izraelitë të vrarë.
Në shumë kryeqytete evropiane u organizuan manifestime solidariteti për popullin palestinez. Në Londër pati edhe ndeshje me policinë, për shkak të grumbullimeve të paautorizuara.


Sulmi tokësor izraelit në Rripin e Gazës po ndesh pengesa të paparashikuara, gjë që ndikon mbi zgjatjen e tij në kohë dhe mbi përdorimin e forcave të tjera ushtarake. Nga 65 mijë rezervistë të rithirrur në shërbim, 53 mijë, sipas njoftimit, janë gati të vihen në lëvizje në ndihmë të reparteve të koracuara dhe të këmbësorisë, që po impenjohet posaçërisht në zbulimin dhe shkatërrimin e rrjetit të tuneleve, depove të armëve të lehta e të rënda, bombave, kurtheve shpërthyese, sistemeve të komunikimit e, posaçërisht, raketave, dhe me rreze të gjatë veprimi, që vijojnë të fluturojnë mbi Izraelin, sidomos mbi Beershevën, Ashkelonin, Tel Avivin, që të gjitha qytete me dendësi të madhe popullsie.
Në Gazë, gjatë tri ditëve, u zbuluan 34 tunele; 14 u shkatërruan pas përballimit me sukses të rezistencës të fundamentalistëve të Hamasit e të Xhihadit islamik. Deri tani numërohen 5 ushtarë të vrarë gjatë ndeshjeve e 17 të plagosur. Ndërmjet tyre, Rasan Alian, drus, komandant i brigadës Golani. Përveç milicëve palestinezë të vrarë, 13 u kapën dhe u burgosën. Sulmet ajrore të izraelitëve vijuan gjatë disa zonave të Rripit, duke bombarduar posaçërisht Chajaya, zonë veriore e qytetit të Gazës. Këtu, për fat të keq, shumica e banorëve nuk iu përgjigjën me kohë ftesës për t’u larguar, njoftuar me trakte. U detyruan, kështu, të ikin nën breshërinë e bombave, duke lënë pas 40 civilë të vrarë e dhjetra të plagosur, që mbetën rrugëve. Për t’i ndihmuar këta njerëz, Hamasi kërkoi, përmes Kryqit të Kuq, një armëpushin prej dy orësh.

Ndërkaq diplomacia vijon punën për ndalimin e zjarrit. “Izraeli është i rrethuar nga një organizatë terroriste”, deklaroi sekretari i Shtetit amerikan, Kerry, sipas të cilit Hamasi po i përdor civilët si mburojë për mbrojtjen e objekteve ushtarake. Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjatë natës e përsëriti thirrjen për t’i dhënë fund menjëherë konfliktit. Ban Ki-moon, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ishte në Doha e në Katarr, për t’u takuar me presidentin palestinez Abu Mazen, i sapokthyer nga takimi me kreun e Hamasit, Khaled Meshaal. Në zonë vijon edhe misioni i ministrit francez të Punëve të Jashtme, Laurent Fabius. Ndërsa sot Ban ki Moon është në Kairo, së bashku me sekretarin e Shtetit amerikan, Kerry.







All the contents on this site are copyrighted ©.