2014-07-21 14:05:05

Papa: të japim me bujari. Imzot Feroçi: bamirësia nuk shkon me pushime


“Zoti e do atë, që jep me gëzim. Të mësohemi të japim me bujari, duke u shkëputur nga të mirat materiale”. Ky është tweet-i i fundit i Papës Françesku, publikuar në faqen e tij @Pontifex. Në një kohë krize, si kjo e sotmja, Ati i Shenjtë u bën thirrje kështu, të gjithë besimtarëve, të ndajnë me të tjerët ç’të munden. Për këto fjalë të Papës, i kërkuam një koment drejtorit të Karitasit të Romës, imzot Enrico Feroci-t:RealAudioMP3
Dy gjëra. Së pari: Papa Françesku na kujton se, në thelb, ne të krishterët nuk jemi të pranishëm në zemrën e Zotit, nëse nuk i duam të tjerët, pasi Hyji është dashuri. Pra, nëse duam të jemi vërtet pranë Zotit, duhet të vihemi në shërbim të të tjerëve, në dispozicion të tyre, sepse vetëm nëse duam, jemi, ekzistojmë. Mendimi i dytë: Papa Françesku na kujton se në çastet e vështira, vëmendja jonë nuk duhet të shkëputet nga vëllezërit me probleme të mëdha: njerëz që derdhin lot, njerëz në vështirësi, njerëz pa punë, pa shtëpi, pa ushqim. Janë shifra që rriten përditë, e shohim vetë. Por sidomos, sot, njerëzit kanë nevojë të tregojnë vëmendje për të tjerët, pasi marrëdhëniet, kujdesi për të tjerët është themelor për të krishterët. Duhet të kemi kujdes për vëllezërit tanë, të mos kalojmë para tyre me indiferencë, por të hapim sytë për të parë ç’ka ngjarë me vëllanë e rrahur nga hajdutët gjatë rrugës.
Papa na thotë se bamirësia nuk shkon kurrë me pushime…
Këtë e ka thënë edhe herë të tjera e Karitasi e ka mirë parasysh. Ne nuk i mbyllim dyert kurrë: qendrat tona janë gjithnjë hapur, 365 ditë në vit. Besoj se e kemi për detyrë këtë. Edhe sepse, pushimet janë për ata, që i kanë mundësitë; ata që nuk i kanë, që jetojnë çdo ditë me vështirësi, kanë dëshirë, por edhe të drejtë, që ne të krishterët t’u qëndrojmë pranë. E ky është edhe shembulli i Papës Françesku: më duket se edhe ai nuk shkon me pushime, është gjithnjë i kujdesshëm dhe i gatshëm për të gjithë ata, që kanë nevojë për të.
Në këtë çast krize, Papa na fton edhe të rizbulojmë rëndësinë e bashkëndarjes…
Bashkëndarje do të thotë “të ndajmë së bashku”. Mendoj gjithmonë se Karitasi ka edhe një aspekt pedagogjik. Nëse copën e bukës e ndaj me dikë, hamë dy vetë, apo jo? Prandaj, të dish ta thyesh bukën me të tjerët, ky aspekt pedagogjik, është themelor për besimtarin, për atë, që merr Korpin e Krishtit dhe bëhet bukë e thyer me të tjerët…








All the contents on this site are copyrighted ©.