Ministri i Sudanit për orientimet dhe institucionet fetare deklaroi se qeveria nuk
do të japë më autorizime për ndërtimin e kishave të reja në vend. I menjëhershëm,
reagimi i krerëve të krishterë. Sipas gazetës “El Jareeda” të Khartoumit, ministri
Shalil Abdallah deklaroi se kishat ekzistuese janë të mjaftueshme për të krishterët
e mbetur në Sudan, pas ndarjes së Sudanit të Jugut në vitin 2011. Nënvizoi gjithashtu
faktin se pjesa më e madhe e Sudanit të Jugut banohet nga të krishterë, ndërsa në
Sudan janë pak. Me të marrë vesh lajmin, rev. Kori El Ramli, sekretar i përgjithshëm
i Këshillit të Kishave të Sudanit, deklaroi në radion lokale se pohimi i ministrit
bie ndesh me Kushtetutën e vitit 2005. “Natyrisht – theksoi ai – jemi pakicë, por
gëzojmë lirinë e kultit e të besimit, ashtu si pjesa tjetër e Sudanit, përderisa jemi
qytetarë sudanezë si ata”. Pastori kritikoi shkatërrimin e kishës sudaneze të Krishtit,
ndërtuar në vitin 1983, në zonën El Izba të Khartoumit. Që nga viti 2012, janë
shtuar arrestimet, burgosjet dhe internimet e të krishterëve të Sudanit. Shumica e
tyre janë të etnisë Nuba, e së bashku me etni të tjera, pësojnë prej kohësh sulme
sistematike nga ana e një politike zyrtare, që synon islamizimin dhe arabizimin e
vendit. Për shkak të keqtrajtimit të të krishterëve dhe për shkelje të tjera të të
drejtave të njeriut, në vitin 1999, Sudani është shënuar në listën e zezë të Departamentit
amerikan të shtetit. Në prill të vitit 2013, Komisioni i SHBA-ve për Lirinë Fetare
në Botë vuri në dukje se vendi është akoma në atë listë.