2014-07-21 13:58:19

Irak. Ipeshkvi Sirub flet për dëbimin e të krishterëve


“Kemi mbetur pa fjalë, sepse çfarë po ndodh këtu është me të vërtetë tronditëse. Të krishterët janë në Mosul prej shekujsh dhe këto familje detyrohen papritur të ikin nga qyteti i tyre, nga shtëpia dhe jeta e tyre. Jemi me të vërtetë të shqetësuar për të ardhmen e të krishterëve në këtë vend”. Është dëshmia dramatike e ipeshkvit ndihmës kaldeas të Bagdadit, Imzot Saad Sirub (Syroub), menjëherë pasi familjet e fundit të krishtera, që kishin mbetur në Mosul, u detyruan ta braktisin qytetin. “Nuk kishte ndodhur kurrë që të krishterët të dëboheshin nga shtëpitë e tyre, si të mos kishin asnjë të drejtë” – pohon ipeshkvi në një bisedë me Shoqatën Katolike të Shtypit, shpërndarë nga agjencia Fides. “Fatkeqësisht kjo është sot gjendja në Irak, mbi të gjitha në Mosul” - nënvizon prelati. “Frika jonë më e madhe po vërtetohet dhe nuk dimë si të reagojmë. U bë tepër kohë që në Irak nuk ka siguri dhe njerëzit janë të terrorizuar, veçanërisht besimtarët tanë”. Imzot Sirub i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë tek qeveria irakiane për gjetjen e zgjidhjeve konkrete: “Po të ishte më e qëndrueshme gjendja e brendshme, nuk do të kishte hapësirë për këta grupe fanatikësh, që mëtojnë të na qeverisin vendin. Pastaj, duhen ndihmuar këta njerëz të gjorë, që nuk kanë më shtëpi as katandi. Është me të vërtetë një tragjedi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.