Imzot Andreatta: forca e lutjes mund të bëjë gjithçka
Administratori i Veprës Romake të Shtegtimeve, Imzot Liberio Andreatta u nis sot për
në Tokën e Shenjtë, bashkë me 80 shtegtarë nga anë të ndryshme të Italisë. Sot paradite,
para se të nisej për Telaviv, ai u shpreh kështu për agjencinë italiane të lajmeve
ANSA: “Ky është një çast shumë i vështirë për Tokën e Shenjtë, por unë jam i bindur,
siç tha edhe Papa në lutjen e Engjëllit të tënzot, se forca e lutjes mund të bëjë
gjithçka”. Imzot Andreatta, për të cilin këto rrethana të ndërlikuara nuk janë aspak
të reja, tha më tej: “Në përvojën time 40-vjeçare Intifadat e ndryshme dhe luftrat
nuk na kanë shkurajuar kurrë. Është pikërisht ky çasti për të shkuar atje, edhe për
faktin se qarkullimi i shtegtimit është i sigurt, i qetë dhe larg vendluftimeveprandaj
është i përshtatshëm për dialog, për miqësi dhe për të mundësuar takimin ndërmjet
palestinezëve dhe izraelitëve. Shtegtarët janë populli i tretë i kësaj toke, për këtë
arsye nuk mund të mungojnë në një çast si ky, kur të dy popujt vuajnë në të njëjtën
kohë”. Në lidhje me gjendjen në Rripin e Gazës administratori i Veprës Romake
të Shtegtimeve foli për “luftë absurde. Fatkeqësisht kam parë shumë të tilla. I tillë
ishte rasti i Betlehemit, me pushtimin dhe rrethimin e Bazilikës. Mjaft më me luftë!
Ata vetë, hebrenjtë, izraelitët, palestinezët duan paqen, por, fatkeqësisht, vuajnë
të pafajshmit, për shkak të interesave të mëdha ndërkombëtare apo të ndonjë lloji
tjetër. Ne shkojmë atje pikërisht për t’u shprehur solidaritetin atyre që kanë nevojë
në këtë çast”. Imzot Andreatta arriti në Tel Aviv pasdite herët dhe në aeroport
e pritën autoritetet e shumta vendore, ndër të cilët disa nëpunës të Ministrisë së
Turizmit të Izraelit. Gjatë pasdites, në shenjtëroren e Yllit të Detit, mbi malin
Karmel, u kremtua mesha për të kërkuar dhuratën e paqes. Sonte grupi i shtegtarëve
do të bujë në Betlehem.