2014-07-21 13:58:37

Bagdad: myslimanët u shprehin solidaritetin e tyre të krishterëve


Një grup myslimanësh nga Bagdadi, burra e gra, u mblodh mbrëmë, pas meshës së pasdites, para kishës kaldease të Shën Gjergjit, për të dënuar sulmet kundër bashkësisë së krishterë të Mosulit dhe për t’u shprehur të krishterëve të kërcënuar solidaritetin dhe afërsinë e tyre. Disa prej të pranshmëve erdhën para kishës me parullën: “Jam i krishterë irakian”.
Besimtarët kaldeas, kur dolën nga mesha dhe u takuan me myslimanët, kënduan së bashku himnin kombëtar. Shumë prej myslimanëve të pranishëm deklaruan: “Shtëpia ime është e hapur për vëllain tim të krishterë”. Patriarku i Bagdadit, fortlumturia e tij Louis Sako i falënderoi të gjithë me këto fjalë: “Kjo mbledhje sjell shpresën për një Irak të ri. Kam parasysh sidomos të rinjtë, të cilëve u takon barra dhe detyra për ta ndryshuar gjendjen”.
Sipas udhëheqësit kaldeas “është turp dhe krim të dëbohen njerëzit e pafajshëm nga shtëpitë e veta dhe t’u konfiskohen pronat, sepse janë ‘të ndryshëm’, sepse janë të krishterë. Bota mbarë duhet të ngrihet kundër këtyre veprimeve të neveritshme”.
Ne të krishterët, përfundoi patriarku, “i duam myslimanët dhe i shohim si vëllezër. Edhe ata duhet të bëjnë njësoj. Jemi të gjithë me dinjitet të barabartë, të gjithë qytetarë të të njëjtit vend. Duhet të bashkohemi për të krijuar Irakun e ri. Faleminderit të gjithë juve. Kemi ende shpresë”. Para se të largoheshin, të krishterët thanë Atynën, ndërsa myslimanët recituan surën Al Fatiha (e para e Kuranit).








All the contents on this site are copyrighted ©.