2014-07-20 17:30:33

Mosul: digjet ndërtesa kryeipeshvnore siro-katolike. Të krishterët, në ikje. Afërsia e Papës


Gjithnjë më dramatike, gjendja e të krishterëve në Irak. Pallati ipeshkvnor i siro-katolikëve të Mosulit u dogj nga ekstremistët e Isil. Njoftimin e jep patriarku i Kishës siro-katolike, Ignace Joseph III Younan. Patriarku u takua sot paradite me kryeipeshkvin Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, e Papa Françesku po e ndjek me shqetësim e afërsi të madhe situatën në Irak, ku bashkësia e krishterë është në rrezik të shuhet.
Në Mosul nuk ka më të krishterë, pas dymijë vjet pranie në këto troje. Por, ta dëgjojmë patriarkun Junan, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Lajmet e fundit janë të llahtarshme. Ne, me keqardhje, përsërisim atë, që e kemi thënë sa e sa herë: nuk duhet ngatërruar feja me politikën. Nëse ka armiqësi ndërmjet shiitëve, sunnitëve e nuk e di se kujt tjetër, kjo nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë arsye për t’iu sulur të krishterëve të pafajshëm, e as pakicave të tjera në Mosul e gjetiu. Nuk është arsye as për të rrënuar vendet e kultit, kishat, banesat ipeshkvnore, famullitë, në emër të të ashtuquajturës organizatë terroriste, që nuk do t’ia dijë për asgjë e nuk e bren aspak ndërgjegjja. Me hidhërim të thellë njoftojmë se pallati kryeipeshkvnor i Mosulit tani është një grumbull shkrumbi. Me të u bënë hi e pluhur dorëshkrimet, biblioteka… E pas zjarrit, vijnë kërcënimet: nëse nuk do të kthehemi në fenë islame, do të na mbysin të gjithë. E tmerrshme. Turp i madh për bashkësinë ndërkombëtare, ky!

Pyetje: - A ka më të krishterë në Mosul?

Përgjigje: - Nuk ka mbetur asnjë. Ishin disa dhjetra familje, por dje u detyruan të ikin me duar thatë, sepse ua vodhën gjithçka kishin. I vodhën, i shanë, i tallën e pastaj i lanë në kufi të qytetit, pa gjë prej gjëje. Në mes të shkretëtirës.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për gjendjen të krishterëve në këto çaste?

Përgjigje: - Gjetën strehë në Kurdistan, ku u mikpritën, por kryeministri i vendit pohon se nuk mund të strehojnë më refugjatë, sepse aty janë edhe pakica të tjera, si shiitët, jazidët… që kanë ikur në Kurdistan. E tmerrshme.

Pyetje: - Si mendoni se mund t’u vihet pritë integralistëve islamikë?

Përgjigje: - Duhet t’u priten të gjitha ndihmat financiare. Nga kush i marrin armët? Nga vendet integraliste të Gjirit, me miratimin e vendeve perëndimore, sepse kanë nevojë për petrolin e tyre. Për fat të keq, është pikërisht kështu. E është turp vërtet i madh.

Pyetje: - Thirrja juaj, përmes mikrofonit të Radio Vatikanit?


Përgjigje: - I kërkojmë bashkësisë ndërkombëtare t’i qëndrojë besnike parimeve të të drejtave të njeriut, të lirisë fetare, lirisë së ndërgjegjes. Ne jemi në Irak, në Siri e në Liban: nuk jemi ‘mall’ i importuar, jemi njerëz, që banojnë prej shekujsh e, prej këndej, me të drejtë të plotë të trajtohemi si njerëz e si qytetarë të këtyre viseve. Na persekutojnë në emër të fesë së tyre e nuk mjaftohen me kërcënime: i vënë menjëherë në jetë: djegin, masakrojnë…..







All the contents on this site are copyrighted ©.