2014-07-20 14:57:04

Gjykata hollandeze: shteti është përgjegjës për masakrën e Srebrenicës në Bosnjë


Pas 19 vjetësh, shteti hollandez konsiderohet përgjegjës për masakrën e Bosnjës. Një gjykatë e Hollandës, më 15 korrik, doli me vendimin se “Shteti hollandez është përgjegjës për humbjet e njerëzve të internuar nga serbo-boshnjakët në zonën e kontrolluar nga hollandezët në Potoçari, në pasditen e 13 korrikut 1995”. Pikërisht atë ditë, helmetkaltërit hollandezë dorëzuan 300 burra të fshehur në bazën e Potoçarit, në periferi të Srebrenicës, së bashku me 5 mijë myslimanë të tjerë boshnjakë, në këmbim të lirimit të 14 ushtarëve hollandezë, marrë peng nga serbo-boshnjakët.
Gjyqi u hap pas denoncimit të familjarëve të viktimave, të cilët i akuzuan helmetkaltërit hollandezë se nuk i mbrojtën mëse 8 mijë burrat e të rinjtë myslimanë, nga mosha 14 deri 65 vjeç, vrarë barbarisht në konfliktin e Bosnjës. Gjykata hollandeze deklaroi se “duke bashkëpunuar, bataljoni hollandez veproi në mënyrë të paligjshme”. Të gjithë mund të ishin strehuar në qendrën e hollandezëve në Potoçari, por krerët e atëhershëm të helmetkaltërve refuzuan. Nuk dihet akoma nëse Ministria e Mbrojtjes e Hollandës do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për këtë çështje. Edhe këtë 11 korrik, në 19-vjetorin e masakrës, akoma u kremtua funerali i 175 viktimave, të identifikuara kohët e fundit.
Pak histori. Në vitin 1993, dy vjet pas shpërthimit të konfliktit në Slloveni, që shënoi fillimin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave, në enklavën e Srebrenicës jetonin rreth 40 mijë myslimanë boshnjakë. Qyteti u rrethua nga serbo-boshnjakët, por prania e helmetkaltërve në Potoçari u garantoi fillimisht banorëve mjetet kryesore të jetesës dhe nuk e la qytetin të kapitullonte. Më 30 maj 1995, OKB-ja vendosi që helmentkaltërtit, meqë nuk kishin autorizim për të përdorur armët, nuk duhej të kishin asnjë rol aktiv në konflikt. Kjo i hapi rrugën ushtrisë serbo-boshnjake, të udhëhequr nga gjenerali famëkeq Ratko Mlladiç, aktualisht në gjyq për genocid e krime lufte, të bombardojë më 9 korrik qytetin.
Dy ditë më vonë, serbo-boshnjakët i detyruan helmetkaltërtit hollandezë t’u dorëzonin tanket e mjetet e blinduara, me të cilat hynë në Srebrenicë si të ishin të dërguar të OKB-së, duke e gënjyer popullsinë. Ndër imazhet, që kanë mbetur në kujtesën kolektive, nuk mund të harrohet ajo e gjeneralit Mlladiç, që i jep çokollatë një djali të vogël flokëverdhë.
Genocidi u krye gjatë dy javëve, me raprezalje, vrasje, përdhunime e me ikjen në mase të grave, pleqve e fëmijëve drejt Tuzlës. Të gjithë meshkujt nga 14 deri më 65 vjeç u ndanë nga gratë dhe u çuan në vende të ndryshme në periferi, ku u vranë pa mëshirë dhe u varrosën në varre të përbashkëta. Për të fshehur gjurmët e masakrës, trupat pa jetë u zhvarrosën më vonë dhe u shpërndanë nëpër pyje. Edhe sot, 19 vjet pas kësaj tragjedie të pështirë, nuk dihet gjë për shumë prej viktimave, aq sa kryetari i bashkisë së Srebrenicës, në një përkujtim në Romë, vite më vonë, pati deklaruar se në këtë zonë, janë më të shumtë banorët nën dhe se sa mbi dhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.