2014-07-18 17:22:24

Papa u shkruan të krishterëve të Gazës. Atë Kornioli: ngushëllim i madh


Papa i dërgoi një mesazh bashkësisë katolike të Gazës dhe famullitarit të saj, atë Jorge Hernandez që, së bashku me gjithë popullsinë e Rripit, po përballon vuajtje të rënda, për shkak të shkallëzimit të ndeshjeve ushtarake. Është mesazh atëror, për t’u dhënë zemër bijve në çaste tragjike, duke u kujtuar se Papa është me ta, e tërë Kisha është me ta.
Ishte atë Mario Kornioli, famullitar i Beit Jalës në Çisjordani ai, që e njoftoi hollësisht Papën për kushtet tejet të vështira të të krishterëve të Gazës. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Po. Ati i Shenjtë u njoftua për gjendjen e bashkësisë sonë të krishterë e mbrëmë deshi të ishte simbolikisht pranë nesh, duke na shkruar dy rreshta, për të na dhënë zemër, posaçërisht për ta siguruar për lutjen e tij atë Jorgen, që jeton në Gazë e mbështet nga afër bashkësinë e krishterë në këto çaste të vështira. Kur e mori letrën e shkruar nga Papa, atë Jorge e ndjeu veten tejet të lum e, natyrisht, ua lexoi menjëherë besimtarëve të kësaj famullie kaq të veçantë, sot në krye të lajmeve tragjike të botës. Ishte inkurajim e forcë, e jo vetëm për bashkësinë latine, me 160 vetë, por për gjithë të krishterët: edhe për ortodoksët. Kështu atë Jorge u kumunikoi të gjithëve se Papa është pranë tyre me mendje, me zemër, me lutje. Se nuk i harron kurrë. E ky është ngushëllim i madh për besimtarët. Ngushëllim, kur e di se Papa të kujton e lutet për ty, që jeton nën breshërinë e bombave, të cilat vijojnë të bien mbi kokën tënde, mbi fëmijën tënde e mbi banesën tënde. Nësa mesazhi i Papës nisej nga Roma, Gaza bombardohej; e sot në mëngjes thonë se u përdor edhe fosfor i bardhë... Spitalet janë plot me të plagosur, që askush nuk di si t’i mjekojë. Situatë vërtet dramatike... Atë Jorge më tha se po strehojnë edhe në shkollën e patriarkatit familjet e shumë të shpërngulurve. I kërkojmë botës të bëjë diçka, për t’i dhënë fund kësaj masakre! Posaçërisht ngaqë besojmë, siç e ka thënë edhe Papa, se lutja është rruga e vetme për të gjetur, më në fund, paqe: nuk ka rrugë tjetër. Kjo më shkakton keqardhje e më bën të mendoj se edhe pas vizitës së Papës, edhe pas takimit të lutjes, në Vatikan, po ndodh kjo që po ndodh. E kjo do të thotë se ka edhe nga ata, që kanë frikë nga kjo udhë. Atëhere duhet të vijojmë të lutemi, të gjithë së bashku, që Zoti t’i shkrijë zemrat e gurta të atyre, që mendojnë se mund të komandojnë mbi jetët e të tjerëve.
Pyetje: - Ç’lajme vijnë nga Rripi i Gazës? A po mund të qëndrojë bashkësia e vogël e krishterë?

Përgjigje: - Fola sot në mëngjes me atë Jorgen, që po përpiqej të gjente ujë e ushqim për familjet, të cilat vijojnë të largohen nga shtëpitë e të strehohen në famulli, në shkollat e patriarkatit. Atë Jorges iu desh t’i hapte shkollat tona, pikërisht për të strehuar disa familje, sepse bombardimet po bëhen gjithnjë më të dendura. U kërkoj të gjithëve, kujtdo që mund të bëjë diçka, ta ndalojë këtë gjakderdhje të re, të frymëzuar nga urrejtja e vjetër e tërbimi pa kuptim. S’do të bëjë tjetër, veçse të krijojë urrejtje të re e tërbim të ri. Ndërsa këtu kemi nevojë për paqe, falje, pajtim!

Pyetje: - Si reagojnë Territoret përballë kësaj situate?
Përgjigje: - Situata, paradoksalisht, është më e qetë: në Betlehem e në Jeruzalem nuk ndjehet gjë prej gjëje. Nuk ndjehet, as nuk shihet. Po të mos kishim lajme nga jashtë, ose lidhje të drejtpërdrejta me bashkësinë e krishterë, si lidhja ma atë Jorgen, jeta këtu do të vijonte normalisht. Ndërmjet tjerash edhe shumë miq, që duan të shtegtojnë këtu, na pyesin, ngaqë kanë frikë të nisen. Unë, prej këndej, përfitoj t’u përgjigjem e t’u them: ejani, mos e ndaloni shtegtimin, sepse në Izrael e në Palestinë nuk ka asnjë problem. I ftojmë, prandaj, të gjithë shtegtarët të vijnë, sepse dhe kjo është ndihmë e madhe për bashkësinë e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.