2014-07-18 16:11:16

Kisha ortodokse kremton 700-vjetorin e lindjes së Shën Sergjit


Mijëra besimtarë u mblodhën në manastrin e Trinisë së Shën Sergjit, 70 kilometra larg Moskës, për kremtimet me rastin e 700-vjetorit të lindjes së Shenjtit të Radonezit, reformues i monakizmit mesjetar rus dhe një nga shenjtorët më të nderuar të ortodoksisë ruse.
Në sheshin para manastirit të famshëm, pas një shfaqjeje përkujtimore me këngë e lutje për nder të Shenjtit, Patriku Kirill kryesoi kremtimin përfundimtar, duke dhënë edhe bekimin, në fund të njërit prej çasteve më kulmore të një viti, që Patriarkana e Moskës ia kushtoi Shenjtit.
Kremtimet, njofton agjencia Sir, u hapën të mërkurën e kaluar me një shtegtim, ardhur nga Moska. Në manastir e në sheshin para tij, vijuan liturgji e lutje. Dje Patriku Kirill u takua me delegacionet e pothuajse të gjitha kishave ortodokse, të pranishme në kremtime. Pasi kujtoi dhantitë shpirtërore të murgut shenjt, patriku u bëri thirrje barinjve t’i ndihmojnë njerëzit t’ia hapin zemrat hirit të Hyjit, pavarësisht nga rrethanat e vështira, në të cilat jetojnë.
Sot patriku Kirill kryesoi kremtimin përfundimtar, me të cilin u mbyllën dy ditët e fundit festive.
Kujtojmë se Shën Sergji njihet e nderohet shumë edhe ndër shqiptarët katolikë, me emrin Shën Shirqi, kujtuar gjithnjë në shoqëri me Shën Bahtin. Në nder të tyre qe ngritur një Kishë e lashtë në breg të Bunës, me vlera të rralla historike dhe arkitektonike, ku kurorëzoheshin e edhe varroseshin princër shqiptarë e malazezë. Po sot, për fat të keq, një pjesë e mirë e Kishës, me gjithë të vdekurit e saj, fle nën ujërat e Bunës që, krejt e patrazuar, vijon të marrë me vete vlera të papërsëritshme.









All the contents on this site are copyrighted ©.