2014-07-20 14:57:54

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII: “Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve” (3)


Vijojmë rubrikën “Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”(Giovanni Sale S.I.; Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013). Në emisionin e tretë, “De Propaganda Fide” - “Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve”

Nuk mund të flasim për veprimtarinë misionare të Kishës katolike në përgjithësi, as të asaj në trojet shqiptare, në veçanti, pa kujtuar Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve, që asokohe njihej me emrin De Propaganda Fide (Për përhapjen e fesë). Është fjala për një nga dikasteret e Kurjes Romake. E vetë Kurja është tërësia e dikastereve dhe organizmave, që e ndihmojnë Papën në kryerjen e detyrës së tij të lartë baritore, për të mirën dhe shërbimin e Kishës Universale e të Kishave të veçanta, duke kontribuar, kështu, në forcimin e unitetit në fe dhe në bashkimin e Popullit të Zotit. Përkufizimi është i Papës Gjon Pali II. E lexojmë në nenin 1 të Kushtetutës Apostolike ‘Pastor bonus’.
Themelimi i Kongregatës “de Propaganda Fide” ishte një çast i rëndësishëm për Kishën, gjithnjë e thirrur të kumtojë Krishtin, të vetmin Shëlbues të botës, duke organizuar të gjitha forcat dhe mjetet, që ky kumt të arrijë tek të gjithë njerëzit. Pikërisht këtë mesazh lexojmë në procesverbalin, mbajtur gjatë mbledhjes së parë të kardinajve anëtarë të Kongregatës së re, më 6 janar të viti 1622.
Idenë për të krijuar një dikaster të Selisë së Shenjtë, që të kujdesej, në emër të Papës, për përhapjen e fesë, e pati së pari spanjolli Ramon Lull, rreth vitit 1400. Ishte ai, që propozoi të ngrihej një qendër misionare, në Romë. Në periudhën e zbulimeve të mëdha në Amerikë, puna misionare mori një shtytje të re, të paparë, sidomos në Spanjë e Portugali. Papa u dha privilegje të veçanta monarkëve të këtyre vendeve, e ata u zotuan të financonin e të ndihmonin misionin.
Hapin e parë e bëri Piu V, i nxitur nga gjenerali i jezuitëve, atë Françesko di Borja, duke ngritur Kongregatën kardinalore për çështjet shpirtërore të misioneve si dhe një tjetër, në Gjermani e në vende të tjera protestante.
Klementi VIII themeloi një Kongregatë jetëshkrutër, të quajtur “De Propaganda Fide”(1599-1604).
Më në fund, dikasteri nisi punën e pandërprerë në shekuj, nën papninë e Gregorit XV, që e themeloi, me bulën Inscrutabili Divinae, të 22 qershorit 1622. Asokohe mbulonte dhe funksionet, që sot i kryen Kongregata për Kishat Lindore. Kjo e fundit e nisi veprimtarinë e vet të pavarur më 1 maj 1917. Emrin, që ka sot, e mori më 15 gusht 1967, me bulën e Palit VI Immortalis Dei.
Nis, kështu, veprimtarinë, si organi qëndror më i lartë për përhapjen e fesë, me detyrën e dyfishtë: së pari, puna për bashkimin e Kishave ortodokse e protestante; së dyti, organizimi i misionit në gjirin e jo të krishterëve.
Propaganda Fide, sipas aktit të themelimit, përbëhej nga 13 Kardinaj (ndërmjet tyre, njëri ishte prefekt), dy prelatë e një sekretar, të cilëve, më pas, iu shtuan një rregulltar karmelitan e disa zyrtarë të tjerë, të gjithë njerëz të Kishës. Veprimtaria e Kongregatës drejtohet nga Kongregacioni i përgjithshëm, Kongregacionet e veçanta dhe Kongresi, që mblidhet një herë në javë, për të analizuar punën e bërë e për të përcaktuar detyrat e së ardhmes.
Sekretari i parë i dikasterit ka qenë imzot Françesk Ingoli (1622-1649). Pas tij, një mori të tjerësh. Ndërmjet tyre, ipeshkvi i asokohshëm, më pas kardinali Ivan Dias (duke nisur nga 20 maji 2006, për t’u tërhequr nga detyra më 10 maj 2011). Prefektët e Kongregatës u njohën simbolikisht me emrin “Papa i kuq”, sepse visheshin me veladona të kuq e, ndoshta-ndoshta edhe pse misioni i tyre lidhej ngushtë me vende ku shumë besimtarë i lanë me gjak petkat e tyre, për të mos e mohuar Krishtin. E vijojnë t’i lajnë. Prej këndej, kjo Kongregatë mund të quhet edhe e martirëve. Në emisionin e ardhshëm, Shqipëria në kohën e Papës Albani.







All the contents on this site are copyrighted ©.