Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (3)
Në sa kalojnë ditët e afrohet 21 shtatori, dita kur Ati i Shenjtë do t’i shkelë e
do t’i bekojë trojet shqiptare, ne vijojmë rrëfimin e Françeskut për Papën, Kishën
e Botën, duke nisur nga intervista e tij dhënë gazetës “La Vanguardia”. Sot Françesku,
intervistuar nga Henrique Cymerman, flet për revolucionin, qëndrimin ndaj protokolleve,
varfërinë e Kishës e rolin e saj në ngushtimin e hendekut ndërmjet të pasurve e të
varfërve… Disa thonë se
ju jeni revolucionar?
Duhet të thërrasim të madhen Mina Mazzini (në realitet,
Iva Zanicchi) këngëtaren italiane, e t’i themi: “Merre këtë dorë, cigane, e ma lexo
të kaluarën…”. Ku ta dish ç’do të dalë… Për mua, revolucion i madh do të thotë të
shkosh deri në rrënjë, t’i njohësh rrënjët e të shikosh ç’u thonë ditëve tona. Mund
të jesh revolucionar e të shkosh deri në rrënjë: këtu nuk ka kurrfarë kundërvënjeje.
E jo vetëm, por unë besoj se mënyra për të bërë ndryshime të vërteta, duhet të jetë
identiteti. Nuk mund të bëj kurrë një hap në jetë, nëse nuk nisem nga e kaluara, nëse
nuk e di prej nga vij, si quhem, ç’emër kulturor a fetar kam.
Ju shpërfillni
shumë protokolle sigurie, për të qenë sa më pranë njerëzve…
E di se mund
të më ndodhë ndonjë gjë, por është në dorë të Zotit. Kujtoj se në Brazil më kishin
përgatitur një papamobil të mbyllur, me qelqe. Po unë nuk mund ta përshëndes popullin
e t’i them se e dua fort, nga kutia e sardeleve, ku jam mbyllur. Për mua ky është
mur ndërmjet meje e njerëzve. E muret nuk mund t’i duroj. Është e vërtetë se mund
të më ndodhë ndonjë e keqe, por të jemi realistë, në moshën time nuk humbas ndonjë
gjë të madhe!
Pse është e rëndësishme që Kisha të jetë e varfër dhe e përvuajtur?
Varfëria
dhe përvuajtëria janë në qendër të Ungjillit në kuptimin teologjik, jo në atë sociologjik.
Ungjilli nuk mund të kuptohet pa varfërinë, që duhet dalluar nga pauperizmi. Ipeshkvijtë
duhet të jenë shërbëtorë e jo princa.
Ç’mund të bëjë Kisha për të ngushtuar
hendekun ndërmjet të pasurve e të varfërve?
Dihet tashmë se me ushqimin
që tepron, mund të ngopen njerëzit e uritur. Kur njeriu shikon foto me fëmijë të paushqyer
në të katër anët e botës, i vjen të zërë kokën me duar. E nuk arrin ta kuptojë psenë.
Besoj se kemi një sistem ekonomik botëror, që nuk është i mirë. Në qendër të çdo sistemi
ekonomik duhet të jetë njeriu, burri e gruaja, e gjithçka tjetër duhet të jetë në
shërbim të këtij njeriu. Po ne kemi vënë paranë në qendër, hyjin para. Duke rënë,
kështu, në mëkatin e idhujtarisë, idhujtarisë së parasë. Ekonomia vihet në lëvizje
nga dëshira për të pasur gjithnjë më shumë e, paradoksalisht, ushqehet nga kultura
e hedhurinës. Skartohen të rinjtë, kur kufizohen lindjet. Skartohen edhe pleqtë, sepse
nuk shërbejnë më, nuk prodhojnë, janë klasë pasive…Duke i skartuar të rinj e pleq,
skartohet ardhmëria e një populli, sepse të rinjtë ecin me forcë përpara e pleqtë
na japin urtinë, kanë kujtesën e popullit e duhet t’ua komunikojnë të rinjve. Po tani
është koha, e edhe moda, për t’i përjashtuar të rinjtë me papunësinë. Më shqetëson
shumë papunësia e të rinjve që, në disa vende të Evropës, e kalon 50%-shin. Dikush
më ka thanë se 75 milionë të rinj evropianë, nën moshën 25 vjeç, janë pa punë. Është
shifër vigane. Flakim një brezni të tërë, për të mbajtur sistemin ekonomik, që nuk
mund të qëndrojë më në këmbë, sistemin që, për të mbijetuar, duhet të bëjë luftë,
siç kanë bërë gjithnjë mbretëritë e mëdha. E, me që nuk mund të shpërthejë një Luftë
III Botërore, atëherë rrofshin luftërat lokale. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se
fabrikohen e shiten armë, e duke bërë kështu, bilancet e sëmura për vdekje të ekonomive
idhujtare, ekonomive të mëdha, që e flijojnë njeriun tek këmbët e zotit të tyre, idhullit
para, shërohen. Ky mendim i vetëm, e rrafshon pasurinë e larmisë së mendimit e edhe
atë të pasurisë së dialogut ndërmjet njerëzve. Globalizimi, i kuptuar si duhet, është
pasuri. I keqkuptuar, i zhduk larmitë. Është si sferë, në të cilën të gjitha pikat
kanë të njëjtën largësi nga qendra. Globalizimi, që pasuron, është si poliedri: të
gjithë të bashkuar, por secili me veçoritë e veta, me pasuritë, identitetin. E kjo
nuk ndodh!