Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që
të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. E njëmend
fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra
edhe mund t’i kursesh të gjitha. Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet
në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin. Ti,
ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi dhe na sundon me ndjesë të
madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Duke vepruar në këtë
mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua
ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinjë e pendimit.
Nga
Psalmi 86 (85)
Ref. Ti je i mirë, o Zot, e na fal
Ki mëshirë për
mua, o Zot, se gjithë ditën të thërras në ndihmë. Dëgjoje, o Zot, lutjen time,
vështroje zërin e lutjes sime.
Të gjithë paganët prej teje të krijuar,
do të vijnë e do të të adhurojnë, o Zot, dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli, ti je i vetmi Hyj.
Por
ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm, i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri
e durim, shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.
Leximi i dytë (Rom
8,26-27)
Vëllezër, Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse
ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për
ne me ofshamë të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt
‑ se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.
Ungjilli (Mt
13, 24-43)
U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit
është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit
po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi. Kur u rritën të
mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan të zotit
të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli,
pra, egjra? Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë!’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të
shkojmë e ta mbledhim?’ Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë
me të, nxirrni edhe grurin! Lërini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes
do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur e
grurin mblidheni në drithnikun tim!’“ Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;
“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori
dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat,
por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që
shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.” U tregoi edhe një shëmbëlltyrë
tjetër: “Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me
tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.” Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit
në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit:
‘Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’. Atëherë
e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: “Na e shtjello
shëmbëlltyrën e egjrës së arës.” Ai u përgjigj: “Ai që e mbjell farën e mirë, është
Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra
paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja
është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr,
kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet
për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq,
e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse
të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre. Kush
ka veshë, le të dëgjojë!”
Njerëzit priren vetvetiu ta ndajnë njerëzimin
në dy kategori të mëdha: të mirët nga njëra anë e nga ana tjetër të këqinjtë. Kjo
prirje vihet re edhe në rrafshin fetar. Kërkohet bekimi për vete, për familjen, për
kombin të cilit i përkasim, ndërsa mallkimet le të godasin të tjerët, armiqtë e kundërshtarët.
Durimi
i Hyjit...
Nga leximi sipërfaqësor i Biblës (veçanërisht i psalmeve), mund
të krijohet, ndoshta, përshtypja se Hyji nuk është i durueshëm dhe “ngutet”. Thirrjet
për hakmarrje janë mjaft të shpeshta (1 Mbr 18,40; Ps 82 e 108). Por kalesat kryesore
të biblës i përgënjeshtrojnë këto përshtypje. Elia, plot me zell xheloz, e kupton,
duke e paguar vetë, se Hyji nuk gjendet në stuhi e në tërmet, por në puhizën e lehtë,
në frymën e erës më delikate (1 Mbr 19,9.13). Jezusi i qorton Jakobin dhe Gjonin,
kur kërkojnë të bjerë rrufeja mbi samaritanët që nuk e pranojnë Jezusin (Lk 9,51.55;
Mt 26,51). Shkrimi i Shenjtë është libri i durimit hyjnor, që e shtyn gjithmonë ndëshkimin
e popullit të tij (Dal 32,7-14). Profetët flasin për zemërimin e Hyjit, por zemërimi
nuk është çasti i fundmë dhe përfundimtar i shfaqjes hyjnore: falja fiton gjithmonë.
Hyji është i pasur me hir dhe besnikëri dhe është gjithmonë i gatshëm t’i tërheqë
kërcënimet e veta kur Izraeli hyn përsëri në udhën e kthimit (leximi i parë). Jezusi
e përuron mbretërinë e “kohëve të fundit” jo si gjykatësi që ndan të mirët nga të
këqinjtë, por si bariu universal, që ka ardhur para së gjithash për mëkatarët. Nuk
përjashton askënd nga mbretëria: të gjithë janë të thirrur, të gjithë mund të hyjnë.
Në çdo qëndrim dhe me çdo sjellje, Jezusi mishëron durimin hyjnor. Asnjë mëkat nuk
mund t’i shkëpusë në mënyrë të pandreqshme lidhjet me fuqinë mëshirëplote të Hyjit
(Ungjilli). Kisha, trupi i Krishtit, ka misionin të mishërojë mes njerëzve durimin
e Jezusit. Detyra e saj mbi tokë është të zbulojë fytyrën e vërtetë të dashurisë.
Këtu, në tokë, gruri është gjithmonë i përzjerë me egjrën dhe vija ndarëse ndërmjet
grurit dhe egjrës nuk kalon përmes fletëve të regjistrave të famullive, apo përmes
kufinjve që ndajnë kombet, por në zemrat dhe në ndërgjegjet e çdo njeriu. Duhe të
kujtojmë gjithmonë se ndarja ndërmjet të mirëve dhe të këqinjve nuk bëhet para vdekjes.
Hyji
i mëshirshëm...
Nuk ka dyshim se ideja që kemi për Hyjin e kushtëzon sjelljen
tonë (adhurimin, lutjen...) kundrejt tij, si edhe marrëdhëniet me të afërmin. Zakonisht
priremi të ndërtojmë me të tjerët atë lloj marrëdhënieje që kemi vendosur me Hyjin.
Fjala e Hyjit (leximi i parë dhe Ungjilli), që na paraqet liturgjia e sotme, na e
sqaron shumë mirë konceptin dhe shëmbëllimin e Hyjit. Hyji e pranon skandalin e njeriut
të kufizuar e të lig dhe Krishti duket sikur provokon me sjelljen e tij, duke u shoqëruar
lirisht me të mirtë e me të këqinjtë, me të drejtët dhe me mëkatarët. Ai nuk shpall
bashkësinë e të pastërve dhe të të shëndoshëve. Është i durueshëm me të gjithë dhe
u jep kohë mëkatarëve, që të përgatiten për kthim. Edhe skandali i një Kishe mediokre,
mëkatare, të kompromentuar, larg idealit ungjillor të pastërtisë, të shenjtërisë,
të mosinteresit, nuk duhet të shkaktojë shqetësim. Duke qenë se është e përbërë nga
njerëzit dhe e zhytur në botë, Kisha rrezikon gjithmonë të njolloset me botën dhe
të lejojë të rritet brenda saj edhe egjra, bashkë me grurin e mirë. Ka të krishterë
që do të përdornin edhe mjete të dhunshme për t’i zgjidhur problemet, si çkishërimi
i gjymtyrëve më të dobëta, djegia e heretikëve, detyrimi i të krishterëve dhe jo të
krishterëve për t’i zbatuar udhëzimet e Ungjillit me politikën: ose kundër meje, ose
me mua... Në themel të këtyre qëndrimeve gjenden dy shtrembërime. Ideja e gabuar
për Hyjin: një Hyj xheloz për njerëzit, i gatshëm t’i godasë me rrufe, Hyj i vogël
e meskin, jo Hyji Atë i mëshirshëm; mungesa e besimit në Hyjin, domethënë mungesa
e shpresës, që është shkak frike dhe pasigurie.
Hyji i pret njerëzit, të
rriten e të mësojnë
Mbretëria i duron të mbrapshtët dhe mëkatarët, sepse
ka besim të patundur në veprimin e Hyji, i cili di ta presë njeriun, që vepron në
liri. Papa Gjoni XXIII ka thënë: “Ëmbëlsia është plotësia e forcës”. Nevojitet,
pra, jo pranimi pasiv i ngjarjeve, as mirësia e cektë, por toleranca, durimi dhe respektimi
i kohës dhe i ritmeve të rritjes, si brenda jetës së bashkësive, ashtu edhe brenda
jetës së njerëzve të veçantë. U duhet kushtuar shumë vëmendje çasteve të hirit dhe
shenjave të kohës, që gjithmonë paraqiten me përpikmëri.
Nuk mjafton
ta quajmë veten të krishterë, por duhet të jemi me të vërtetë të tillë (Nga
“Letra drejtuar të krishterëve të Magnesit”, e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv
e martir)
Injaci, i quajtur edhe Teofor, Kishës së bekuar nga hiri i Hyjit
Atë, në Jezu Krishtin, shpëtimtarin tonë: në Krishtin e përshëndes këtë Kishë, që
është në Magnez të Meandrit dhe uroj të gëzojë çdo të mirë në Hyjin Atë e në Jezu
Krishtin. Kam marrë vesh se dashuria juaj është përsosurisht e rregullt, sipas
Hyjit. Kam ndjerë gëzim të madh dhe kam vendosur t’ju drejtoj juve fjalën e fesë së
Jezu Krishtit. I stolisur me këtë nderim tejet të lartë, domethënë me vargonjtë
që mbart kudo me vete, këndoj lavdet e kishave dhe u uroj të bashkohen me trupin dhe
shpirtin e Jezu Krishtit, jeta jonë e amshuar, ne fe e dashuri. Bashkimi është e mira
më e dëshirueshme dhe më e çmueshme. U uroj kishave para së gjithash bashkimin me
Jezusin dhe me Atin. Në Krishtin do t’i bëjmë ballë çdo sulmi të princit të kësaj
bote, do t’i ikim prej duarsh dhe do të arrijmë tek Hyji. Kam pasur hirin t’ju
shoh, me anë të ipeshkvit Damas, njeri me të vërtetë i denjë për Hyjin, dhe nëpërmjet
priftërinjve Bas e Apollon, si edhe të diakonit Sozion, shok i imi në shërbesën e
Zotit. Shpresoj të përfitoj nga prania e Sozionit, sepse nënshtrohet ndaj ipeshkvit
si ndaj hirit të Hyjit dhe ndaj kolegjit të presbiterëve si ndaj ligjit të Jezu Krishtit. Nuk
duhet të përfitoni nga mosha e re e ipeshkvit, por duhet të keni respekt të madh për
të, duke mbajtur parasysh autoritetin që i është dhënë nga Hyji Atë. Di se kështu
bëjnë edhe presbiterët e nderuar, të cilët nuk përfitojnë nga mosha e tij shumë e
re, por, si njerëz të urtë të Hyjit, i nënshtrohen, duke parë tek ai jo njeriun, por
Atin e Jezu Krishtit, që është ipeshkëv i të gjithëve. Për nder të atij që na do,
duhet të bindemi pa u shtirur aspak, sepse përndryshe nuk gënjehet ky ipeshkëv i dukshëm,
por mundohemi të gënjejmë atë të padukshmin. Këtu nuk bëhet fjalë për gjëra që kanë
të bëjnë me mishin, por me Hyjin, që i njeh fshehtësitë e zemrës. Nuk mjafton
të quhemi të krishterë, por duhet të jemi vërtet të tillë. Ka disa që e përmendin
gjithmonë ipeshkvin, por bëjnë gjithçka pa të. Më duket se këta nuk veprojnë me ndërgjegje
të pastër, sepse mbledhjet e tyre nuk janë të ligjshme, sipas urdhrit të Zotit. Të
gjitha gjërat e kanë një fund dhe dy funde i kemi përpara: jetën dhe vdekjen. Secili
do të shkojë në vendin që i takon. Ka dy monedha: ajo e Hyjit dhe ajo e botës. Secila
ka vulën e vet. Jobesimtarët kanë vulën e kësaj bote, por besimtarët, që jetojnë në
dashuri, mbartin shëmbëllimin e Hyjit Atë, nëpërmjet Jezu Krishtit. Nëse ne, me hirin
e tij, nuk jemi të gatshëm të vdesim për të marrë pjesë në mundimet e tij, jeta e
tij nuk është në ne.
Fjala dhe fara
Shëmbëlltyra e mbjellësit
është një metaforë madhështore e ungjillëzimit dhe veçanërisht e marrëdhënies së njeriut
me Fjalën e Hyjit. Pika që meriton t’i kushtohet më shumë vëmendje është ajo e krahasimit
të fjalës me farën. Shëmbëlltyrat ungjillore e kanë një arsye dhe, nganjëherë, edhe
një thellësi teologjike, të fshehur në misteret e natyrës. Kuptimin e përafrimit “Fjalë-farë”
e sqaron më mirë Marku sesa Mateu. Veçanërisht Marku, duke cituar fjalët e Krishtit,
shprehet kështu: Mbretëria e Hyjit është si një njeri, që hedh farën në tokë; në gjumë,
apo zgjuar, natën apo ditën, fara mbin dhe rritet. Se si, as ai vetë nuk e di, sepse
toka prodhon vetvetiu, në fillim kërcellin, pastaj kallirin, pastaj kokrrën e plotë
në kalli. Kur fryti është gati, menjëherë merret në dorë drapri, se janë të korrat”
(Mk 4,26-29). Kthimi tek kjo temë, që e gjejmë tek Marku dhe jo tek Mateu, na jep
lidhjen e parë për të kuptuar këtë metaforë. Fjala ngjan me farën, sepse fara ka brenda
një energji, një jetë të veten, që shpërthen kur hidhet në tokën pjellore, pa mbajtur
parasysh kush e mbolli. Njësoj, shërbëtori i fjalës e mbjell fjalën ndër zemra
dhe ajo i prodhon frytet me forcën e vet, pa pasur më nevojë për ndikimin e predikuesit.
Pikërisht për këtë arsye apostulli Pal, kur gjendej në burg dhe u kujtua se disa e
shpallnin fjalën për arsye personale ose për rivalitet, u shpreh kështu: “Disa, është
e vërtetë, e predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për rivalitet, por ç’rëndësi ka?
Mjafton që në çdo mënyrë, me shtirje apo me sinqeritet, Krishti të shpallet. Unë gëzohem
e do të vijoj të gëzohem për këtë gjë” (Fil 1,15.18). Nga ana tjetër, megjithatë,
fara ka edhe një tjetër karakteristikë: nuk mund të zhvillohet, nëse nuk gjen një
tokë të përshtatshme. Nëse nga pikëpamja e Hyjit Fjala është e pagabueshme, nga pikëpamja
e njeriut mund të gabojë. Arsyeja themelore për të cilën Krishti ka dashur ta krahasojë
Fjalën me farën lidhet me këto dy aspekte: aspekti i efektit, që Fjala e ka nga vetvetja
dhe aspekti i zhvillimit, që e përcakton ai që e merr. Fakti që Fjala është krahasuar
me farën e jo me frytin do të thotë edhe diçka tjetër. Hyji nuk dëshiron të na e japë
hirin e vet në mënyrë të plotë. Të gjitha dhuratat e tij kanë një karakter embrional,
si ai i farës. Zhvillimi drejt plotësisë së frytit varet në një farë mënyre nga ajo
që secili vendos të bëjë vetë. Në fakt, nëse Marku nënvizon veçanërisht karakterin
veprues të fjalës, Mateu duket që e vë theksin më shumë tek gatishmëria e atij që
e pranon fjalën. Kjo gatishmëri përfaqësohet me shëmbëllimin e tokës.