2014-07-16 14:28:26

Sinodi anglikan miraton shugurimin ipeshkvnor të grave: pengesë për ekumenizmin


“Vendimi i Kishës së Anglisë për shugurimin ipeshkvnor të grave është pengesë e re në udhën drejt unitetit. Gjithsesi do të vijojmë impenjimin tonë për dialogun ekumenik, duke kërkuar mirëkuptim më të thellë reciprok për bashkëpunim praktik, atje ku të jetë e mundur”. Kështu shprehet imzot Bernard Langley, kryetar i Departamentit për dialogun dhe unitetin e ipeshkvijve të Anglisë e të Uellssit, duke komentuar, përmes një note, miratimin për shugurimin ipeshkvnor të grave nga ana e Sinodit të përgjithshëm të Kishës së Anglisë, mbledhur në York.
Reforma, prej vitesh shkaktare e përçarjeve të thella në gjirin e shtëpisë nënë të Bashkimit Anglikan, u miratua me shumicën e kërkuar të votave nga të trija Dhomat e Sinodit (ipeshkvij, kler e laikë). Në notë, imzot Langley, vlerëson klauzolën e shtuar në tekst, e cila i pranon arsyet e të gjithë atyre që, duke qenë në gjirin e Kishës së Anglisë, vijojnë të mos e pranojnë shugurimin ipeshkvnor femëror, ashtu si në Kishën katolike e ortodokse. “Në këtë çast të vështirë, thekson, kujtojmë edhe një herë se në udhën ekumenike janë bërë hapa të rëndësishme përpara, sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit e, duke nisur që nga Koncilit II i Vatikanit, ndërmjet bashkësive tona është thelluar fryma e miqësisë. Do të bëjmë ç’është e mundur, përfundon kryeipeshkvi i Birmingamit, për t’i fuqizuar këto lidhje e për t’i thelluar përpjekjet që ta dëshmojmë së bashku Ungjillin në shoqërinë ku jetojmë”.Votimin në favor të grave-ipeshkve e përshëndeti me kënaqësi Sekretari i përgjithshëm i Këshillit ekumenik të Kishave (Wcc), i nderuari Olav Tveit, i cili uroi që “ky vendim të jetë bekim për misionin e Kishës në Angli”.







All the contents on this site are copyrighted ©.