2014-07-16 14:27:53

Juncker, në krye të Komisionit Evropian


Parlamenti i Evropës zgjodhi Jean Claude Juncker si president të ri të Komisionit të Bashkimit Evropian. Luksemburgezi, i cili bindi pjesën më të madhe të anëtarëve të partive popullore, socialiste dhe liberale, propozoi një program prej 300 miliard eurosh, për t’u investuar në projekte shtetërore e private, duke filluar nga shkurti i vitit 2015. Përpjekjet e Eurozonës për daljen nga kriza, Juncker i përshkroi si riparim të një avioni që ka marrë flakë në fluturim e sipër. Pranoi gabimet dhe vuri në dukje se nuk janë marrë sa duhet parasysh vuajtjet e një pjese të shoqërisë, që varfërohej gjithnjë e më tepër, ndërsa pasuroheshin spekullatorët.
Gjithashtu, siguroi se do të vigjëlojë mbi respektimin e bilancit dhe kërkoi një qeverisje të përbashkët për ekonominë evropiane e financime për ato vende të Eurozonës, që nfërmarrin reforma të mëdha. Juncker premtoi se do të emërohet një komisar për emigracionin, fenomen, që ka të bëjë me gjithë Evropën, e jo vetëm me vendet kufitare, theksoi ai. Nuk mungoi edhe polemika me kryetaren e Frontit Kombëtar Francez, Marine Le Pen, e njohur për idetë kundër emigracionit. “Jam i kënaqur që nuk më votuat – i tha Juncker asaj – nuk i dua votat e atyre, që përjashtojnë e refuzojnë njerëz”. Në fillim të gushtit, Juncker duhet të propozojë Komsionin e ri Evropian. Problemi kryesor i tij është ai i gjetjes së numrit të mjaftueshëm të grave me detyrë në këtë Komision, përndryshe, në tetor, Parlamenti mund të mos e miratojë ekzekutivin.
Për një koment mbi perspektivat që hap plani i punës i Juncker-it, të dëgjojmë ekonomistin italian Francesco Carlà:

Gjithçka do të varet nga mënyra si do të jepen këta 300 miliardë euro, kur dhe kujt do t’i jepen, kush do të jenë bashkëfinancuesit… Me një fjalë, deklarata e Juncker-it është e rëndësishme, por e përgjithshme. Për shembull, papunësia në Evropë nuk është homogjene. Janë kapituj të tjerë të deklaratës së tij, që m’u dukën interesantë për zhvillimin evropian, si ai i luftës kundër burokracisë, sidomos për ndërmarrjet e vogla e të mesme; pastaj ai i reformave të thella e të domosdoshme, pavarësisht se i frikësojnë qytetarët, por pa to, problemet mund të rëndohen. Fraza, që Juncker e nënvizoi fort e fort është “nuk bëhen investime me borxhe”.
Kjo do të thotë se do të mbizotërojë rreptësia e bilanceve, por gjithnjë, do të jenë njerëzit ata, që do të paguajnë për masat kundër krizës, ndërsa sistemet do të vazhdojnë të përparojnë…
Këtu ka një kapitull, në të cilin thuhet se tregu nuk duhet të mbizotërojë në krahasim me popujt e shoqëritë, por do të shohim nëse do të ndodhë kështu në të vërtetë.
Të flasim pak për politikën monetare. Çfarë qëndron pas “jo”-së për një marrëveshje tregtie të lirë me çdo kusht me SHBA-të, ose pas shprehjes se Trojka evropiane duhet rimenduar…
Me sistem monetar nënkuptojmë marrëdhëniet me euron. Më duket një kapitull i gjatë, i cili është destabilizuar paksa, do të thosha, më shumë falë politikës së Draghi-it dhe të Bankës Qendrore Evropiane, se sa të vendeve anëtare apo të Komisionit Evropian. Përsa i përket kapitullit të marrëveshjes së tregtisë së lirë me SHBA-të, më duket se ka akoma shumë divergjenca, mjaft të rëndësishme. Është argument, për të cilin do të flitet shumë në muajt e ardhshëm.
Cila është, sipas jush, Evropa e së ardhmes?
Unë besoj në një Evropë gjithnjë e më në ekuilibër ndërmjet vendeve, në të cilat, dhjetë vjetët e fundit kanë sjellë reforma e cilësi në punësim e në ekonomi, sidomos Gjermania e Veriu i Evropës, dhe vendeve të tjera, ku ndryshimet nuk kanë qenë kaq pozitive. Pres një debat mjaft të ashpër, ku ata që aktualisht kanë pozita të forta do të vazhdojnë të bëjnë ligjin.








All the contents on this site are copyrighted ©.