2014-07-13 15:08:27

Raporti IDOS: në dy vjet, ndërmarrjet e emigrantëve në Itali rriten me 9,5%


Shqiptarët, në vendin e katërt për numrin e firmave të ngritura nga emigrantët në Itali. Javës së kaluar, ekipi i Dosjes Statistike të Emigracionit paraqiti me shifra e analiza gjendjen e afaristëve emigrantë në Itali. Shqiptarët renditen pas marokenëve, rumunëve dhe kinezëve, si titullarë të 7,6% të firmave individuale të emigrantëve. Ata vazhdojnë të jenë shumica ndërtues. Në këtë sektor përbëjnë një të pestën e punonjësve, të paraprirë nga rumunët.
Në dy vjet, numri i përgjithshëm i firmave në dorë të emigrantëve është rritur me 9,5%, ndërsa kriza i ka detyruar italianët ta ulin praninë e tyre në treg me 1,6%. Këto statistika i referohen periudhës 2011-2013. Komenti i Maria Paola Nanni-t, nën kujdesin e së cilës është përgatitur vëllimi:
(Debora Donnini)
“Sot, ndërmarrjet që drejtohen nga emigrantë në Itali janë gati gjysëm milion, saktësisht 497 mijë. Ato ndikojnë me mëse 8% në numrin e përgjithshëm të firmave të regjistruara në Dhomat e ndryshme të Tregtisë. Është ndikim që rritet nga viti në vit, pavarësisht nga vështirësitë e krizës”.
I rëndësishëm, numri i grave në firmat e huaja: janë një e katërta e emigrantëve me punë të pavarur, në rritje me 5,4%.








All the contents on this site are copyrighted ©.