2014-07-13 19:04:27

Papa përsërit thirrjen për paqe në Tokën Shenjte


Fjala e Zotit është farë, që duhet pranuar e duhet jetuar: Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, u ndalua tek shëmbëlltyra e bujkut, duke nënvizuar sa rëndësi ka ta pranosh e ta jetosh mesazhin e Krishtit i cili, nënvizoi, flet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, me figura të marra nga natyra e nga ndodhitë e jetës së përditshme. Më pas, ajo, që Papa e quajti ‘thirrje e ngutshme’ për Lindjen e Mesme. E, në përshëndetjet, përkujtimi i së dielës kushtuar Detit dhe 400-vjetori i vdekjes së Shën Kamilit de Lelis, që do të kremtohet nesër.RealAudioMP3

Në dritën e ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit, Papa Françesku u kërkoi të gjithëve ta vijojnë me ngulm lutjen për paqe në Tokën Shenjte. E kam ende të gjallë në kujtesë takimin e 8 qershorit të kaluar me Patriarkun Bartolomeu, Presidentin Peres e Presidentin Abbas, pohoi Françesku, për të nënvizuar, më pas:
“Kujtuam lutjen për dhuratën e paqes e dëgjuam thirrjen për ta copëtuar qerthullin e urrejtjes e të dhunës. Ndokush mund të mendojë se ky takim ishte i kotë. Por nuk është ashtu, sepse lutja na ndihmon ta mundim të keqen, të mos dorëzohemi para dhunës e urrejtjes, të mos i lëmë të fitojnë epërsi mbi dialogun e pajtimin”.
Prej këndej, nxitja:
“I nxis palët e interesuara dhe të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike në nivel kombëtar e ndërkombëtar, të mos i kursejnë lutjet e as përpjekjet për t’i dhënë fund armiqësisë e për të siguruar paqen, aq të dëshiruar për të mirën e të gjithëve. E i ftoj të gjithë të bashkohen në lutje”.
Lutje që Papa ia drejtoi i pari Zotit nga Sheshi i mbushur plot me njerëz, të cilët i bashkuan me gjithë zemër zërat, me zërin e Françeskut, duke lartuar drejt qiellit plot dritë-hije të kësaj dite me reshje korriku, lutjen e përgjëruar për Tokën e Jezusit:
Tani, o Zot, ndihmona Ti! Na e jep paqen, na e mëso Ti paqen, na prij Ti kah paqja! Na i hap sy e zemra e na jep guximin të themi: ‘Kurrë më luftë!’; ‘me luftë gjithçka kthehet në gërmadhë!’. Dikoje në shpirtin tonë guximin të bëjmë gjeste, që e ndërtojnë paqen…Bëj ta dëgjojmë britmën e qytetarëve tanë, që kërkojnë t’i kthejmë armët në mjete paqeje, frikën në besim, tensionet në falje”.
Para thirrjes, reflektimi i Françeskut për shëmbëlltyrën e bujkut. Jezusi flet për një farë, që prodhon pak a shumë fryt, sipas tokës, ku bie. E Papa nënvizon ç’na mëson sot kjo shëmbëlltyrë:
Kjo shëmbëlltyrë i flet edhe sot secilit nga ne, ashtu si u fliste Jezusi njerëzve dymijë vjet më parë. Na kujton se jemi trualli, ku Zoti hedh pa u lodhur kurrë farën e Fjalës së Tij e të dashurisë së Tij. Po ne, si e presim? Si është zemra jonë? Cilit truall i përngjet? Udhës, gurishtes apo shkurres. Varet nga ne të bëhemi truall i mirë, pa gjemba e pa gurishte, i punuar kujdesshëm, që të prodhojë fryte për ne e për vëllezërit tanë”.
Në çdo Meshë Shenjte, shpjegoi Françesku, fara e mirë e Ungjillit mbillet në shpirtin tonë në mënyrë gjithnjë të re, përmes sofrës së Fjalës së Zotit. Prej këndej, ftesa për të marrë pjesë në Meshë:
“Edhe në këto muaj vere, gjatë kohës së pushimeve, ka rëndësi të marrim pjesë çdo të diel në këtë sofër, duke thithur prej saj dritë e forcë për vijimin e udhës sonë”.
Në këtë shëmbëlltyrë, posaçërisht, Jezusi i shpjegon fjalët e Tij, nënvizoi Papa, duke kujtuar se fara e rënë në udhë tregon ata, që e dëgjojnë kumtin e Mbretërisë së Hyjit, por nuk e pranojnë, kështu ia beh djalli e e merr. Djalli, shpjegoi Papa, nuk do që fara e Ungjillit të mbijë në zemrat e njerëzve. Kujtoi, më pas, farën e rënë mbi gurë: tregon njerëzit, që e dëgjojnë fjalën e Zotit dhe e pranojnë menjëherë, por në mënyrë të cekët, sepse nuk kanë rrënjë e janë të paqëndrueshëm. Kur hasin vështirësi e trazira, këta njerëz thyhen menjëherë. Rasti i tretë është ai i farës së rënë mbi shkurre: Jezusi shpjegon se përfaqëson njerëzit, që e dëgjojnë fjalën, por shqetësimet e botës e joshja e pasurisë e shlyejnë këtë fjalë nga zemrat e tyre.
Së fundi, fara e rënë në truall pjellor, përfaqëson ata, që e dëgjojnë Fjalën, e pranojnë, e ruajnë dhe e kuptojnë; e ajo jep shumë fryt.
Modeli i përkryer i kësaj toke të mirë, theksoi Françesku, është Virgjëra Mari.
Pastaj, përshëndetjet drejtuar detarëve, peshkatarëve dhe familjeve të tyre, në të Dielën kushtuar Detit; barinjve e besimtarëve, që marrin pjesë në shtegtimin e Familjes së Radio Marisë në Jasna Gora-Çestokova e një përshëndetje e veçantë, bijve shpirtërorë të Shën Kamilit de Lelis, vdekur më 14 korrik, 400 vjet më parë.
Së fundi, urimi për një “të diel të gëzuar” dhe ftesa: “mos harroni të luteni për mua!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.