2014-07-11 18:13:59

Festa e Shën Benediktit: dëshmi e zëvendës-eprorit të murgjërve të Norçia-s


Sot Kisha kujtoi Shën Benediktin, Pajtor i Evropës e themelues i monakizmit perëndimor. Në Norçia, vendlindje e Shenjtit, sot ishte ditë feste, pune e lutjeje, siç porosit rregulla benediktine. Në mikrofonin tonë, atë Benedetto Nivakoff, zëvendës-epror i murgjërve të Norçia-s:

Përgjigje: - Sot është festë e rëndësishme, çast për ta jetuar jetën më qetë: ngrihemi në orën 3.20 mbas mesnate, kalojmë një orë e gjysëm në Kishë, për të përfunduar në orën 5.30; pastaj kemi lutjen personale në dhomë, Lavdet e kështu me radhë…

Pyetje: - Shën Benedikti a vijon të jetë edhe sot shenjt i njohur, i kërkuar, i dashur?

Përgjigje: - Po, është shumë i njohur, posaçërisht falë Papës Benedikti XVI, që e rikujtoi emrin dhe rëndësinë e tij në Kishë e në botë. Sidomos, për murgjërit, që për sytë e botës, jetojnë një jetë të kotë, në kërkim të Zotit, gjë që, për shumëkënd, sot është humbje kohe. Në këtë ‘humbje kohe’ shumëkush kënaqet duke kuptuar se ekziston diçka më shumë nga ajo, që shikojmë, diçka më shumë në këtë botë të ngarkuar me banalitete e cektësi, të cilat na rrethojnë nga të katër anët.

Pyetje: - Shën Benedikti, pati thënë pikërisht Papa Benedikti XVI: “Na ndihmon ta vëmë Krishtin në qendër të jetës sonë”…

Përgjigje: - Po, e ka shumë rëndësi të kujtojmë se mund ta kemi në qendër, përmes shndërrimit personal; njeriu duhet ta ndjekë pas Krishtin jo vetëm me fjalë, por kryesisht me fakte të përditshme, që flasin për kthesë, për fitimin e virtyteve e zhdukjen e veseve si mendjemadhësia, krenia, kotësia, flligështia. Këto janë betejat më të rëndësishme, që duhen luftuar e kjo, puna e përditshme e murgut.

Pyetje: - Pajtor i Evropës, Shën Benedikti…

Përgjigje: - Nuk ishte shenjt, që deshi të themelojë një kulturë evropiane. Për të kishte rëndësi ta jetonte vërtetësisht jetën murgare. Kjo jetë tërhoqi edhe murgjër të tjerë prej kahmos. Fryma e heqjes dorë nga kotësitë, thithi burra të shquar nga mbarë Evropa. Po sot pak e kush arrin ta kuptojë këtë sepse, për fat të keq, jetojmë në një epokë kur e rrotullojmë botën rreth vetvetes. Le ta quajmë epokë adoleshence…

Pyetje: - Ju, si u takuat me Shën Benediktin?

Përgjigje: - Frekuentova liceun në Amerikë, ku jetova katër vjet me murgjërit, që më dhanë jo vetëm mësime akademike klasike, por më mësuan edhe si ta jetoj dashurinë e krishterë. Ky ishte shembulli i parë, që më tërhoqi në jetën murgare.

Pyetje: - Ç’ju tërhoqi aq, sa të bëheshit murg…
Përgjigje: - Murgu duhet të bëhet “dritare” e hapur kah bota tjetër. Murgjërit shembullorë për jetën time, ishin gjithnjë “dritare”: nuk shikon vetëm njeriun, po shikon dritaren, që të tregon se Zoti ekziston e se ia vlen të braktisësh gjithçka, për ta ndjekur.







All the contents on this site are copyrighted ©.