2014-07-07 16:09:29

“Alo! Jam Françesku”, një libër kushtuar komunikimit të Papës


Nga telefonatat tek tweet-et, nga homelitë tek shtegtimet e mëdha ndërkombëtare. Stili i komunikimit të Papës Françesku kalon prej individit, tek shoqëria. “Alo? Jam Françesku”, është libër, i cili merret pikërisht me revolucionin, që solli në botën e komunikimit Ati i Shenjtë, një vit e gjysëm nga fillimi i papnisë.
Intervistuam autorin e librit, Massimo Enrico Milone:RealAudioMP3

Përgjigje: - Është një lloj blloku shënimesh, që përmbledh reflektimet e një viti. Papa Françesku deshi t’ua dhuronte veprimtarëve të komunikimit. E deshi ta bëjë këtë, ashtu siç e bëjnë mediat. Është, prandaj, gati-gati si enciklikë për mediat. Na pati kërkuar menjëherë, të nesërmen e Konklavit, të tregojmë të vërtetën, të flasim për bukurinë, t’i kushtojmë vëmendje mirësisë. E ky është revolucion i shpirtit, revolucion i një Kishe, që përhap propozimin revolucionar të Ungjillit, dymijë vjet më pas, duke i shoqëruar, me frymë moderne, besimtarë e jo besimtarë. Nga shtegtimi i parë në Rio de Zhanejro, tek intervista dhënë Civiltà Cattolica, nga biseda me Scalfari-n, tek telefonatat e tweet-et, Papa Françesku përshkoi e ripërshkon, vizitoi e riviziton të gjitha kanunet e komunikimit modern.

Pyetje: - Nga telefonatat tek Tweet-et, nga homelitë tek shtegtimet e mëdha ndërkombëtare, stili komunikativ i Papës Françesku kalon prej individëve, tek shoqëria, e kjo pëlqehet shumë. A mund ta quajmë Françeskun një nga komunikatorët më të mëdhenj të ‘900-tës?

Përgjigje: - Sigurisht, është një ndër më të mëdhenjtë. Nuk e them unë, e nënvizojnë komentuesit, opinionistët e mbarë botës. Mjafton të kujtosh vitin 2013, kur revista Time e lartoi në rangun e Burrit më të madh të vitit, ose kur e pamë Papën Françesku në kapakun e revistës rock Rolling Stones. Të gjitha mjetet botërore të komunikimit ia kanë njohur këtë karizmë: Papë, që synon të hyjë gjithnjë në zemrën e njeriut e, natyrisht, në zemër të fesë së krishterë.

Pyetje: - Si ndikon komunikimi i Papës mbi katolikë e jo katolikë?

Përgjigje: - Si fshikullim, posaçërisht për botën e krishterë, për atë pjesë të kësaj bote, që kotet, që dremit; për jo katolikët e jo besimtarët, si portë e hapur e ftesë për takim.

Pyetje: - A mund të na kujtoni mesazhin a gjestin e Papës, që ju ka emocionuar më shumë?
Përgjigje: - Konferenca e shtypit, që preku të gjitha problemet, pa fshehur asgjë, gjatë fluturimit mbi avionin, që e kthente nga Ditët e shkëlqyera, të mrekullueshme të Rio de Zhanejros. Pavarësisht nga lodhja, Papa u ndal gjatë mbi të gjitha problematikat, që kanë të bëjnë me Kishën, mbi marrëdhëniet me shoqërinë, mbi vetveten, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjeve mbi rrugët e ministerit, që ka zgjedhur. Bazë e fortë për vijimin e papnisë së tij, kjo intervistë, pa asnjë ngurrim e droje.







All the contents on this site are copyrighted ©.