2014-07-07 16:09:09

Takimi i Papës Françesku me viktimat e shpërdorimit seksual: konferencë për shtyp e atë Lombardit


Pas takimit të Papës Françesku me grupin e gjashtë viktimave të shpërdorimeve seksuale të klerit, pak pas mesditës, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, mbajti një konferencë për shtyp.
Fillimisht, ai informoi gazetarët për mbledhjen e djeshme të Komisionit Papnor për Mbrotjen e të Miturve, gjatë së cilës u trajtuan disa çështje. Ndër to, propozimi për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit, që të përfaqësojnë zona të tjera gjeografike, si kulturën aziatike dhe afrikane. Emrat do të shqyrtohen nga Ati i Shenjtë. U fol për statutet e Komisionit dhe për nevojën e ngritjes së një zyre operative. Gjithashtu, sqaroi atë Lombardi, kardinajtë diskutuan mundësinë e organizimit të grupeve të punës, me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Takimi i ardhshëm i Komisionit parashikohet për në tetor.
Më pas, atë Lombardi shtoi disa hollësi për takimin e Papës Françesku me gjashtë viktimat e abuzimeve seksuale, tre burra e tri gra, ardhur nga Gjermania, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar:
“Erdhën në Shën Martë që gjatë ditës së djeshme. Prandaj, mbrëmë, ndërsa hanin darkë në dhomën e ngrënies, Papa kaloi dhe i përshëndeti për të parën herë. Sot në mëngjes, mesha, në orën 7.00. Pastaj, Papa jo vetëm i përshëndeti pjesëmarrësit në meshë një e nga një, por hëngri mengjesin bashkë me ta e në orën 9.00 filluan takimet personale”.
Ishin vërtet mallëngjyese, nënvizoi atë Lombardi:
“Papa bisedoi personalisht, për mëse tri orë, me viktimat e shpërdorimeve seksuale nga ana e anëtarëve të klerit, me stilin e zakonshëm të tij, në një takim shumë intensiv e shumë të vëmendshëm”.
Të pranishmit i shprehën Atit të Shenjtë mirënjohjen e tyre të thellë për këtë bisedë të përzemërt:
“Munda t’i shoh kur dolën dhe fola shkurtimisht me ta. Mund të dëshmoj mirënjohjen e thellë, madje edhe mallëngjimin e këtyre njerëzve, për mundësinë e takimit nga afër, kaq të përzemërt, kaq personal me Atin e Shenjtë. Në veçanti, e kuptuan fort mirë se u dëgjuan me kujdes e me shumë vëmendje. Papa dëshmoi se dëgjimi të ndihmon të kuptosh e si të thuash, edhe të përgatisësh rrugën për rigjetjen e besimit, për shërimin e plagëve”.
Papa Françesku, shtoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, na dha kështu një mësim të mirë, duke e konsideruar dëgjimin e viktimave si etapë thelbësore në udhën e zgjidhjes së problemit të abuzimeve:
“Gjëja më e rëndësishme është se kjo mund të bëhet shenjë, model, shembull, sepse kur Papa i kushton shumë kohë, shumë kujdes, merr pjesë shpirtërisht në çastin e dëgjimit, jep një mesazh të qartë për këdo: duhet të dimë të dëgjojmë, t’i kushtojmë kohën e nevojshme njeriut, në mënyrë që ai të zbulojë shpirtin e vet e të hyjë në atë udhë komunikimi, që bëhet premisa e rrugës së shërimit e të pajtimit personal. Kjo kthehet më pas në pasuri për gjithë bashkësinë. Fakti që njerëzit gjejnë udhën për të arritur qetësinë, pajtimin me vetveten e me fenë, në marrëdhënie me Kishën e me bashkësinë, është sigurisht pasuri, rezultat shumë pozitiv”.
Edhe për Papën Françesku takimi me gjashtë viktimat e shpërdorimeve seksuale të disa anëtarëve të klerit ishte prekës. Dëshmon atë Lombardi:
“E pashë në fund. Edhe ai ishte shumë i prekur, sepse për çdo njeri, çdo meshtar, çdo bari që përjeton një bisedë, një takim të kësaj natyre me njerëz, të cilët kanë pas shpine një histori vuajtjesh të thella, kjo është jashtëzakonisht impenjative. E Papa e përjetoi këtë. Natyrisht, është njeri që ia ka kushtuar jetën dëgjimit si bari shpirtrash, prandaj nuk është hera e parë, që përballon një bisedë të tillë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.