2014-07-07 16:06:20

Papa, viktimave të shpërdorimeve seksuale: kërkoj falje, asnjë tolerancë për këtë krim


Sot në mëngjes, në kapelën e Shën Martës, ku Papa Françesku kremton meshën çdo ditë, u përjetua një çast mjaft mallëngjyes e domethënës. Ati i Shenjtë e kremtoi meshën në praninë e gjashtë viktimave të shpërdorimeve seksuale të klerit. Në Kishë, tha ai, nuk ka vend për ata që njollosen me këtë krim, i cili nuk mund të tolerohet.RealAudioMP3
Ju kërkoj falje e derdh lot bashkë me ju, qenë fjalët e Papës Françesku, i cili, në fillim të homelisë, përvijoi imazhin e shën Pjetrit, që e kuptoi nga shikimi Jezusin, pas marrjes në pyetje nga Ponci Pilat. Kuptoi se po i afrohej vdekja dhe qau për të. Sot, nënvizoi Papa, zemra e Kishës sheh me sytë e Jezusit fëmijët, viktima të shpërdorimeve e do që të derdhë lot, kërkon hirin për të qarë me ta. Derdh lot edhe për bijtë e saj “që e kanë tradhtuar misionin e tyre” e kanë abuzuar me “të pafajshmit”. Kur shoh në sy viktimat e shpërdorimeve, theksoi Ati i Shenjtë, ndjej në zemër një dhimbje të thellë për faktin se disa meshtarë e ipeshkvij “kanë dhunuar pafajësinë e të miturve dhe thirrjen e tyre meshtarake duke i shpërdoruar seksualisht”. Është diçka më shumë se “vepër e turpshme”; “është njësoj si kulti sakrileg, sepse këta djem e vajza i ishin besuar karizmës meshtarake për t’i udhëhequr drejt Zotit. E ata i flijuan për idhullin e epsheve të tyre”. Këto abuzime përdhosën “vetë imazhin e Zotit, sipas të cilit jemi krijuar”. Këto “akte të neveritshme kundër të miturve”, bubulloi akoma Papa, “kanë lënë shenjë për gjithë jetën”.
E di, vazhdoi Ati i Shenjtë, se këto plagë janë burim dhimbjesh emocionale e shpirtërore të thella e shpesh të pashuara, që shkojnë deri në dëshpërim. Papa kujtoi familjet e viktimave, disa prej të cilave vuajnë nga tragjedia e tmerrshme e vetëvrasjes së bijve të tyre. Këto vdekje “peshojnë mbi zemrën e mbi ndërgjegjen time e të gjithë Kishës”, tha Papa, duke treguar afërsi, dhimbje e dashuri me familjet.
“Mëkatet e shpërdorimit seksual kundër të miturve nga ana e anëtarëve të klerit – theksoi më pas Ati i Shenjtë – kanë pasoja shkatërruese mbi fenë e mbi shpresën në Zotin”. Disa, komentoi, u kapën edhe më fort pas fesë, por të tjerëve, kjo lloj tradhtie dhe braktisjeje u tundi rëndë themelet e fesë. E duke iu drejtuar të pranishmëve, Papa Françesku nënvizoi se fakti që ata ndodheshin para tij tregon se shpresa fiton edhe mbi errësirën më të thellë. Prania e këtyre gjashtë viktimave është shenjë e mëshirës së Zotit, të cilin, nënvizoi Papa, duhet ta shohim në sy e t’i kërkojmë hirin e pajtimit. “Para Zotit dhe Popullit të Tij – tha Ati i Shenjtë – jam thellësisht i pikëlluar për mëkatet e për krimet e rënda të shpërdorimit seksual, kryer nga anëtarë të klerit kundër jush. E me përvuajtëri, kërkoj falje”. E kërkoj falje, vazhdoi Papa, edhe për të gjithë ata krerë të Kishës, që nuk janë përgjigjur si duhet para denoncimeve për abuzime, paraqitur nga familjarët, apo nga vetë viktimat. Kjo ka sjellë vuajtje të tjera e sidomos ka vënë në rrezik edhe të mitur të tjerë, që ndodheshin pranë abuzuesve.
E pastaj e ngriti zërin me forcë: “Nuk ka vend në ministerin e Kishës për ata, që kryejnë shpërdorime seksuale; e impenjohem të mos e toleroj dëmin, që i bëhet një të mituri nga ana e kujtdo, pavarësisht nga statusi i tij klerikal”. Papa Françesku u tërhoqi vëmendjen ipeshkvijve të jenë më të kujdesshëm në këtë drejtim e ta ndjejnë thellë përgjegjësinë për mbrojtjen e të miturve, por edhe të vigjëlojnë mbi përgatitjen për meshtari. Për të gjithë ne, tha Papa, vlen këshilla e Jezusit për ata, që shkandullojnë të tjerët: guri i mullirit dhe deti (Mt 18,6). Ati i Shenjtë u kërkoi ndihmë të gjithëve për përmirësimin e politikave dhe të procedurave kishtare, që mbrojnë të vegjlit e formojnë personelin e Kishës, në mënyrë që mëkate të tilla të mos përsëriten kurrë më.
“Zoti ju do ju – iu drejtua Françesku të pranishmëve – dhe të gjithë ata, që kanë pësuar shpërdorime nga ana e anëtarëve të klerit. Lutem që gjithçka mbetet nga errësira që ju ka prekur, të shërohet në krahët e Jezusit Fëmijë e që dëmi i pësuar të zëvendësohet me fe e me gëzim të ri”. “Lutuni për mua – kërkoi Papa, duke falenderuar – që sytë e zemrës sime ta shohin gjithnjë qartë rrugën e dashurisë së mëshirshme e që Zoti të më japë guxim ta ndjek këtë rrugë për të mirën e fëmijëve, duke mos lejuar asnjë ujk të hyjë në grigjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.