Papa, një vit pas vizitës në Lampeduzë: të mundet logjika e indiferencës
“Të përkulemi mbi emigrantët, pa llogaritje, pa frikë, me dhimbsuri e mirëkuptim”.
Është ftesa që bën Papa në një mesazh, drejtuar kryeipeshkvit të Agrixhentos, imzot
Françesko Montenegro, me rastin e kryevjetorit të vizitës së tij në Lampeduzë, ku
ishte më 8 korrikun e kaluar. Këtij përkujtimi iu kushtua edhe Mesha, kryesuar dje
nga kardinali Antonio Maria Vegliò, kryetar i Këshillit Papnor për Emigrantët, në
kishën famullitare të Shën Xherlandit, në Lampeduzë.
Emigrantët, në kërkim
të një jete më të mirë e banorët e Lampeduzës, në veprimtari të lavdërueshme solidariteti,
janë në qendër të mesazhit të Papës Françesku, dymbëdhjetë muaj pas vizitës në ishull.
Pas një viti, kujton Papa, problemi i emigracionit po rëndohet gjithnjë më shumë e
tragjedi të reja po luhen me ritëm tronditës. Zemra jonë, vijon Ati i Shenjtë, e ka
të vështirë ta pranojë vdekjen e këtyre vëllezërve e motrave, që përballojnë shtegtime
kapitëse për të ikur nga dramat, varfëria, luftërat, konfliktet, të cilat shpesh lidhen
ngushtë me politikat ndërkombëtare. Kjo tragjedi pa fund nuk mund të përballohet me
logjikën e indiferencës, por me atë të mikpritjes e të ndihmës vëllazërore, në emër
të dinjitetit të çdo njeriu. Prej këndej, thirrja e Papës për t’u përkulur mbi
njeriun në nevojë, për ta marrë për dore, pa llogaritje, pa frikë, me dhimbsuri e
mirëkuptim. Uroj, nënvizon Françesku, që Institucionet kompetente, posaçërisht ato
të nivelit evropian, të jenë më guximtare e më bujare në ndihmë të refugjatëve. Evropës
iu drejtua edhe kardinali Antonio Maria Vegliò, gjatë Meshës në Lampeduzë, pasi kujtoi
se lampeduzanët ishin krahë të hapur, që rrokën burra e gra, fëmijë e të rinj, të
cilët shkelën e vijojnë të shkelin të rraskapitur, pa shpresë e pa strehë, në këto
brigje.