Zëri i Françeskut në mbrojtje të çubardhëve afrikanë
“Francis hapi krahët me pëllëmbët e duarve drejtuar kah qielli e tha: “Zoti është
në çdo qenie njerëzore. Jeta e një njeriu vlen sa jeta e gjithë bashkësisë. Kur fyen
njeriun, ke fyer Zotin”. Kjo është fraza, që Papa Françesku e zgjodhi dhe e lexoi
për audiolibrin “Hija e bardhë”. Libri rrëfen e denoncon diskriminimin dhe vuajtjen
e çubardhëve1 apo të labardhëve të Afrikës. Realizuar nga Kristiano Xhentili,
vëllimi lidhet me një fushatë ndërkombëtare, që nisi më 25 qershorin e kaluar për
t’i mbrojtur çubardhët afrikanë nga format e ndryshme, të papranueshme të dhunës,
me hashtagun #HelpAfricanAlbinos (T’i ndihmojmë çubardhët afrikanë), me të cilën u
bashkua edhe Papa Françesku. I vendosur në Tanzani, ku shkrimtari - i lidhur me
organizatën Mjekë me Afrikën Kuamm - ka punuar për shumë vjet, romani “Hija e bardhë”
rrëfen historinë e një vajze të vogël çubardhe, Adimu-së e cila, pavarësisht nga mjedisi
armiqësor që e rrethon, vijon të kërkojë me etje miqësi e dashuri. Të nëpërkëmbur
nga shoqëria, e cila nuk i konsideron afrikanë, shpjegon faqja e internetit , në të
cilën mund të dëgjohet edhe zëri i Papës, nga tregu i punës, nga vetë familjarët,
që shpesh i braktisin sapo lindin, çubardhët afrikanë janë viktima të vrasjeve rituale.
Persekutimi i tyre është pasojë e bestytnive. Sipas besimeve popullore, gjymtyrët
e trupit të tyre kanë fuqi të madhe magjike; sjellin pasuri, fat, pjellshmëri. Kush
i ka, ka gjithçka dëshiron. Prej këndej riti i mbytjes dhe i coptimit të trupave të
çubardhëve, që jetojnë ndërmjet zezakëve. Kësaj tragjedie u shtohen edhe problemet
e shëndetit, pasojë e mungesës së melaninës dhe e qëndrimit të vazhdueshëm nën rrezet
zjarrta të diellit ekuatorial, gjë që u shkakton plagë të rënda në lëkurë, verbërim,
infektime të të gjitha natyrave, deri tek tumori i lëkurës. Kështu shumica nuk e kapërcen
moshën 30 vjeç. Kanceri i lëkurës hyn në jetën e tyre si vrasës i heshtur, pas vrasësve
potermëdhenj ritualë. E vetmja shpresë është të arrijnë deri në 32 vjeç. Për t’i
ndihmuar këta njerëz të rrethuar nga heshtja e mohimi, lindi audiolibri i parë shoqëror,
për të cilin Papa Françesku dhuroi zërin e vet, për t’u dhënë zë çubardhëve të Afrikës
së zezë. Mund t’i ndihmoni edhe ju, që lexoni këto radhë, përmes faqes së internetit
www.change.org
1 Albinizmi (nga latinishtja albus-i bardhë)
është sëmundje e bashkëlindur. Karakteristikë e saj është mungesa e plotë ose e pjesshme
e pigmentacionit melaninik në lëkurë, në bebe të syrit, në koroidë, në qime e në flokë.
Prej këndej, fjalët shqipe çubardh e labardh për këta njerëz me flokë të bardhë e
sy të kuq.